Drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Evropiane në Shqipëri, Gledis Gjipali u shpreh se për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është thënë se janë gati për të nisur konferencën e parë ndërqeveritare, por sikurse e dimë për vendin tonë ka disa rezerva.

Gjipali tha se nuk është e thënë që Maqedonia duhet të presë Shqipërinë, por secili vend ecën sipas specifikës së vet.

Gledis Gjipali: Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është thënë se janë gati për të nisur konferencën e parë ndërqeveritare, por sikurse e dimë për vendin tonë ka disa rezerva. Nëse do të kemi një vendim pozitiv do të kemi edhe një deklaratë në konferencën për shtyp për të dyja vendet. Nëse nuk do të kemi një vendim të tillë do të kemi një rezultat se çfarë do të ndodhë dhe kur do të jetë vendimmarrja e ardhshme.

Nuk është e thënë që Maqedonia duhet të na presë ne, por secili vend ecën sipas specifikës së vet. Prandaj nuk është e domosdoshme që vendet të jenë së bashku. Kjo gjë po ndodh edhe me vendin tonë, duke e diskutuar individualisht. Vendi ynë ka bërë një progres të mirë, gjë e cila u vlerësuar edhe nga KiE, por nuk besoj se është mjaftueshëm për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare. Kjo pasi ka shqetësime nga vendet anëtare të BE-së.

Gjipali shtoi se ka një krizë në BE që mund të bëhet edhe një krizë e madhe, pasi Hungaria dhe Polonia kanë vënë veton buxhetit.

Gledis Gjipali: Ka një krizë në BE që mund të bëhet edhe një krizë e madhe, pasi Hungaria dhe Polonia nuk pranojnë kushtëzimin sa i takon shtetit ligjor, duke pasur parasysh edhe problematikën e zgjerimit të mëparshëm. Kjo gjë është përpjekur të kufizohet nga BE. Buxheti i BE-së duhet të merret me unanimitet dhe kjo po kthehet në një krizë që duhet të zgjidhet, pasi kërkohen edhe fonde për pandeminë. Do të shohim se si do të zgjidhet. Sot ka pasur debate lidhur me këtë çështje në këshill.