Përfaqësuesi i PS-së, në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri refuzon t’i japë firmën opozitës jashtëparlamentare për t’iu drejtua ODIHR për ekspertizë lidhur me koalicionet parazgjedhore.

Ora News ka zbardhur qëndrimin e Gjiknuri në mbledhjen e këshillit fill pasi ka marrë në dorëzim letrën e opozitës për ODIHR.

“Nuk mund te firmos letra të njëanshme. Letra juaj është vazhdim i retorikës politike. Nuk keni sjellë asnjë draft e propozim konkret. Nuk po sillni draft, nuk keni reflektuar” mësohet të jetë shprehur Gjiknuri duke shtuar se ODIHR do ti drejtohen vetëm me produkt konkret.

“Pres propozimet tuaja konkrete për amendamentet. Tek ODIHR marrim mendim për mosmarreveshjet për draftet, jo mosmarrëveshje teorike. Sipas marrëveshjes së 14 Janarit, ODIHR i kerkohet opinion per çështje te administrimit zgjedhor. Tek ODIHR kërkohet opinion për drafte konkrete” ka thënë më tej Gjiknuri.

Në letrën që tashmë ja kanë dorëzuar Këshillit Politik, anëtarët e opozitës i kanë parashtruar 5 pyetje OSBE/ODIHR-it ku i kërkojnë mendim për propozimin e socialisteve për ndryshimin e rregullave zgjedhore sa i përket koalicioneve parazgjedhore.

1. A janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dispozitat në fuqi të Kodit Zgjedhor që lidhen me mekanizmin e koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandatave

2. A pengojnë futjen e listave të hapura mekanizmat në fuqi për koalicionet zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve? Në rast se miratohen listat e hapura ndërsa mekanizmi ekzistues i koalicioneve dhe formula për ndarjen e mandatave mbetet kjo është në fuqi, a do të ishte legjislacioni shqiptar në pajtueshmëri me angazhimet e OSBE?

3. A mund të ndryshohen rregullat themelore të garës zgjedhore nga një palë, pasi procesi zgjedhor ka nisur, dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa i rëndësishëm është stabiliteti i legjislacionin zgjedhor dhe njohja e ligjit nga garuesit zgjedhor para zgjedhjeve, për cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?

4. Nëse rregullat ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë pranë zgjedhjeve në mënyrë që t’i japin epërsi partisë që ka propozuar ndryshimet, a minojnë këto ndryshime ose ndikojnë në parimet e stabilitetit të ligjit, sigurisë ligjore dhe rregullave të lojës, që janë kyçe për të ruajtur angazhimet e OSBE për zgjedhje demokratike?

5. Duke parë pozicionet e kundërta të palëve, cila do të ishte zgjidhja e pranueshme për të dy palët në përputhje me angazhimet e OSBE dhe standardeve të tjera europiane për zgjedhje demokratike?