Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka cilësuar si të rënduar situatën e pandemisë në vend. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të rspektojnë masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Edhe festa e Kurban Bajramit i ka gjetur pa besimtarë xhamitë, pas urdhrit të qeverisë për të shmangur frekuentimin për shkak të rrezikut për shëndetin e qytetarëve.

Gjendja me pandeminë në Kosovë është e rëndë dhe për këtë arsye Kryeministri Avdullah Hoti, e ka vënë theksin tek respektimi i masave.

Bashkë me urimin për festën e Kurban Bajramit, Hoti falenderoi qytetarët që zbatuan thirrjen për të mos i vizituar objektet fetare në këtë ditë feste për besimtarët myslimanë.

“Unë sot i falenderoj të gjithë qytetarët që po i respektojnë masat për këtë ditë feste. Duket që apeli që kemi bërë si qeveri, bashkë me të gjitha institucionet dhe aktorët tjerë të përfshirë në menaxhimin e kësaj situate, ka dhënë efekt. Shpresoj që kjo të vazhdojë dhe njerëzit t’i respektojnë masat dhe të jenë të vetëdijshëm, sepse vetëm kështu mund ta menaxhojmë këtë situatë”, tha Hoti.

Deklaratën Hoti e bëri gjatë vizitës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku teksa përgëzoi bluzat e bardha për luftën me virusin në frontin e parë u shpreh se përballja me pandeminë “është mision kombëtar”.

“Unë jam sot këtu për të treguar vlerësimin tonë për punën që po bëjnë dhe për të dëgjuar vlerësimet e tyre për situatën nëpër të cilën po kalojmë, parashikimet për javët dhe për muajt e ardhshëm dhe përgatitjet që ne duhet t’i bëjmë në këtë drejtim. Gjendja është e rëndë”, tha Hoti.

Shifrat e të prekurve në ditët e fundit në Kosovë kanë njohur rritje.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus ka shkuar 8,104,  212 pacientë kanë humbur jetën dhe 4,463 janë shëruar.

Një ditë më parë, Bashkësia Islame e Kosovës mori vendimin që Kurban Bajrami të mos falet në xhami, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.