Shifrat e regjistruara së fundi për pacientët që kanë humbur jetën nga covid 19 dhe për të konfirmuarit me covid kanë vënë në alarm Ministrinë e Shëndetësisë. Ogerta Manastirliu deklaron se janë shtuar kontrollet në terren dhe se nuk do të ketë më asnjë tolerim. Por nga ana tjetër opozita akuzon se situata ka dalë jashtë kontrollit.

2 pacientë kanë humbur betejën me koronavirusin në 24 orët e fundit ndërsa 67 të tjerë janë konfirmuar me covid 19 nga testimet e kryera.

Po ashtu taskforca bën të ditur se në Spitalin Infektiv janë 8 persona në terapi intensive dhe një është i intubuar.

Në inspektimin në terren ministrja Ogerta Manastirliu deklaron se situata është serioze ndaj theksoi se nuk do të ketë më asnjë tolerim.

“Jemi në një situatë serioze, ku moszbatimi i masave dhe rregullave nga bizneset cënojnë shëndetin e popullatës pasi ndikon në përshkallëzimin e infeksionit. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë neglizhencën. Ne nuk mundemi dot më të tolerojmë marrëzinë për të mos ju përgjigjur protokolleve dhe rregullave. Nuk mundemi dot të bëjmë një sy qorr dhe një vesh shurdh, kur shohim që masat nuk zbatohen në një biznes dhe ata të cilët shërbejnë nuk mbajnë maskë, kur shohim që në restorante ka një grumbullim përtej masës së lejuar dhe kur në supermarket shërbejnë pa vendosur maskat”

Ministrja e Shëndetësisë paralajmëroi ashpërsimin e masave për shkelësit e ligjit.

“Do të shtojmë grupet e inspektimit dhe kontrollet në qytetet që konsiderohen vatra për arsye të numrit të të prekurve, por gjithashtu për gjatë gjithë bregdetit do të vijojmë me kapacitete të shtuara sa I përket inspektimet, verifikimit të protokolleve dhe masave dhe nuk do të ketë asnjë tolerancë dhe nuk duhet të ketë asnjë tolerancë për të gjithë ata të cilët nuk zbatojnë protokollet. Nuk ka më këshillime por do të vijohet me gjobat dhe mbyllje e aktivitetit për shkeljet e përsëritura”.

Por për situatën ka reaguar dhe opozita. Bardh Spahiu shprehet se tashmë situata ka dalë jashtë kontrollit e për këtë ai thotë se i referohet shifrave zyrtare.