Gjenden eshtra në Rahovec, dyshohet se janë groposur nga forcat serbe gjatë luftës

Gjenden eshtra në Rahovec, dyshohet se janë groposur nga forcat serbe

Eshtra të reja njerëzish janë zbuluar në qytetin kosovar të Rahovecit, që dyshohet se u takojnë të zhdukurve të luftës së fundit me Serbinë. 

Autoritetet kosovare vazhdojnë të zbulojnë eshtra njerëzish, të cilët mendohet se janë zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës së Kosovës 1998-1999.

Skeleti i një personi u gjet të premten në varrezat e komunës së Rahovecit, nga ekipet e Mjekësisë Ligjore dhe me urdhër të Prokurorisë për Krime Lufte.

Drejtori i Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, thotë se forcat serbe shpesh i maskonin krimet e tyre kundër njeriut duke i groposur viktimat në varrezat civile.

 “Sikur si e kemi pasur në varrezat muslimane në veri të Mitrovicës ku deri më tani janë gjetur mbi 73 persona që janë maskuar në varrezat civile, duke marrë parasysh që ndoshta të njëjtat mund të rihapen sepse është vend i varrezave, kjo i takon pikërisht atij llojit të veprimit.”

Në lagjen Tusuz të Prizrenit kanë vazhduar gërmimet pas gjetjes së skeletit pjesshëm të një personi ende të paidentifikuar nga muaji i kaluar.

 “Kemi pasur një gjetje të një pjesë përfundimtare të këmbës dhe duhet të kontrollohet edhe ai teren se mos ka ndonjë person më tepër sesa ai që dyshohet.”

Autoritetet synojnë që t'i përfundojnë gërmimet për sivjet për shkak të kushteve atmosferike.

Në pranverë pritet të vazhdojnë operacionet në Kizhevak dhe Shtaval të Serbisë, me objektivin për të gjetur mbi 1.640 personat ende të zhdukur nga lufta e fundit ballkanike, që la mbi 13,500 të vrarë, nga të cilët afro 11 mijë shqiptarë, 2,200 serbë, përpos etnive të tjera lokale.

Rajoni Lajme Kosovë eshtra rahovec lufta kosove-serbi

EMISIONET