Gjata: Hapja e listave hipokrizi e Ramës për të ndaluar koalicionet, është i humbur

Gjata: Hapja e listave hipokrizi e Ramës për të ndaluar

Debate të shumta kanë përfshirë politikën në vend, teksa nisma e kryeministrit Edi Rama për ndryshimet në kushtetutë, kundërshtohet nga opozita dhe presidenca.

Në një intervistë për ''RTV Ora'', Sekretari për Çështjet Ligjore në Partinë Demokratike Çlirim Gjata, tha se opozita nuk e mbështet këtë nismë, sepse u ra dakord më 5 qershor, kur dhe u firmos marrëveshja.

Gjata u shpreh se në muajin janar, u nënshkrua që çfarë do të vendosë Këshilli politik, do të miratohet në parlament.

Çlirim Gjata: ''Nuk jemi dakord me të sepse kemi bërë marrëveshje. Kjo është e para. Ne ulemi, bëjmë një marrëveshje, biem dakord, mirë apo keq, ramë dakord u firmos u mbyll, u bë drafti duhet të miratohet në parlament. Ti kërcet edhe thua do bëj ndryshime të tjera, që e zhbëjnë praktikisht dhe ligjërisht këtë marrëveshje, sepse akoma nuk ka kaluar për votim. Çfarë kuptimi ka, pse u bë 6 muaj kjo marrëveshje, për çfarë u bë gjithë kjo punë? Me ndërhyrjen e faktorit serioz ndërkombëtar, si Bundestagu apo krerët e BE-së, u ulëm dhe bëmë reformë zgjedhoren. I thanë Ramës ulu dhe bëjë me opozitën reale jo atë parlamentare. Në janar u nënshkrua, çfarë do vendosë Këshilli Politik do të miratojë parlamenti. Vendosi Këshilli Politik, duhet ta miratojë parlamenti.''

Sipas Gjatës, hapja e listave është një hipokrizi dhe mashtrim i kryeministrit Rama për të ndaluar koalicionet parazgjedhore, pasi është i humbur dhe është vetëm kundër të gjithëve.

Ai mendon se Rama po  do të ndryshojë Kushtetutën për ruajtjen e pushtetit personal.

Çlirim Gjata: ''Pse duhen këto tani? Pse po i ndalon Rama koalicionet? Po ja kërkojnë deputetët parlamentare? 99% e tyre janë kryetarë partish të vogla, pa koalicione parazgjedhore nuk hyjnë dot në parlament. Hapja e listave ishte një hipokrizi dhe mashtrim për të mbuluar ndalimin e koalicioneve sepse ai është i humbur. Është vetëm kundër të gjithëve dhe kundër një arsye normale njerëzore.

Rama është i humbur. Imagjinoni derisa bën një veprim të tillë që ka frikë nga koalicionet dhe po i thotë të gjithë jam i humbur, jam i detyruar të ndryshoj kushtetutën për të ruajtur pushtetin personal. Kur themi pushtetin personal nuk është thjesht një karrige kryeministri, por privilegjet dhe abuzimet financiare që ka bërë këto 7 vite apo edhe më herët, të cilët humbën dhe nuk ka siguri se çfarë do bëjë. Prandaj dhe ai është i tmerruar. Kjo është një marrëzi ekstreme.''

Intervistoi në studio Xhoi Malësia, përgatiti për online Renato Çaushi.

Vendi Lajme clirim gjata ndryshimet kushtetuese

EMISIONET