Fushatat e frikës dhe shpresës

Fushatat e frikës dhe shpresës

Lulzim Basha ka zgjedhur shpresën si lajtmotiv të fushatës. Edi Rama frikën. I pari na thotë se me të Shqipëria futet në Evropë, familja forcohet, ekonomia ndreqet.

I dyti na dëfton se pa të gjërat do të shkojnë keq e më keq. Për të ilustruar këtë ofron imazhet, sipas tij të një katërsheje apokaliptike Berishën, Metën, Kryemadhin dhe Bashën. Këtë të fundit thjesht në rolin e një klouni.

Në terma të komunikimit fushatat elektorale janë gjithmonë ashtu. Njëra palë ofron shpresën e ndryshimit dhe tjetra frikën e ardhjes në pushtet të kundërshtarit.

Reklama më e famshme dhe simbolike e fushatës së frikës është ajo e Lyndon Johnson-it në vitin 1964.

E njohur si ‘Luledelja’, në më pak se një minutë ilustrohet se çfarë do të ndodhë me Amerikën nëse një Republikan si Berry Goldwater do të fitonte Shtëpinë e Bardhë.

Materiali filmik mbyllet me një shpërthim bombe atomike. Mesazhi është i qartë: zgjidhni paqen në vend të luftës.

Në njëfarë mënyre ky është mesazhi i Ramës që i portretizon si ‘nuklearë’ kundërshtarët e tij.

Duhet thënë se imazhi që ofron Rama për kundërshtarët nuk hedh në erë vetëm rivalët politikë, por edhe idenë e alternativës.

Kryeministri e thotë vetë: nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka. Me anë të kodeve të këtij mesazhi Rama synon ta zbrazë fushën e lojës nga shpresa duke e mbjellë me frikë.

Më e pakta që thotë është: si mund të keni shpresë te e shkuara kur ajo lidhet posaçërisht me të ardhmen?

Cilën do të zgjedhin njerëzit, frikën apo shpresën?

Askush nuk mund ta thotë me siguri, sepse të dyja janë emocione të forta.

Por, sipas ekspertëve të komunikimit, një gjë është e sigurt, mes rutinës dhe spektaklit njerëzit preferojnë të dytin.

EMISIONET