Përmes një statusi në Facebook, Aldi Fusha nga LSI shkruan se kryeministri Rama në ikje po dridhet nga gjykimi popull i 25 prillit.

Sipas Fushës, Rama do të japë llogari për kriminalizimin e parlamentit, grabitjen e buxhetit të shtetit me koncesione dhe për presionet personale për ata që nuk mendojnë si ai.

Fusha shtoi se koka e Rilindjes do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë si i vetmi drejtues qeverie i lidhur kokë e këmbë me krimin.

Fusha: KM në ikje ka nisur të flasë me vete duke përsëritur vit pas viti refrenin banal të një reforme që ekziston vetëm në kokën e tij. Zullumet e 8 viteve të fundit nuk e lënë kokën e Rilindjes të flejë i qetë. Njeriu që nxiti dhe ushqeu korrupsionin duke e ngritur atë në piedestal, po dridhet nga gjykimi popullor i 25 prillit!

Dhe mirë bën që dridhet se e vërteta dhe drejtësia vonojnë, por nuk harrojnë! Pas 25 prillit do japë llogari ai dhe gjithë fundërrinat e kriminalizuara që i rrinë afër, për sa më poshtë: 1. Kriminalizimin pervers të parlamentit nga ai, që nga përdhunuesit në grup tek trafikantët e drogës.  2. Grabitjen ordinere të buxhetit të shtetit me koncensionet familjare që i kanë vjedhur shqiptarëve qindra milionë euro.  3. Presionet personale ndaj kujtdo që i shërben shtetit dhe nuk mendon si ai, që nga mësuesit që kërcënon me bukën e gojës e deri tek ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë për të mbrojtur lehaqenët që kapen me presh në duar.

Miqtë e mi, kjo listë mund të zgjatet pa fund.  Koka e Rilindjes do të mbahet mend në historinë e Shqipërisë si i vetmi drejtues qeverie i lidhur kokë e këmbë me krimin dhe një njeri të cilin, bashkëpunëtorët e vet të 21 janarit e akuzuan publikisht se e kishin gjetur në zyrë me pluhur të bardhë mbi tryezën e punës.  Në fund dy fjalë edhe për kokën e bashkisë. Mos shkel në dërrasë të kalbur dhe mos e ndiq në greminë liderin tënd shpirtëror.  Kaq për sot!  Nga 25 prilli, shteti i kthehet qytetarit, jo mafioz-pushtetarit!