FSHF kërkon rikthimin e tifozëve në stadiume, ja përgjigja që jep qeveria

FSHF kërkon rikthimin e tifozëve në stadiume, ja përgjigja

Qeveria i thotë “jo” futbollit me tifozë.

Me një shkresë zyrtare, qeveria shqiptare ka refuzuar kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit që në stadium në ndeshjet e Kombëtares dhe kampionatit të kishte tifozë të paktën 30% të kapacitetit të stadiumit, raporton Panorama Sport.

Komisioni teknik i Ekspertëve dhe qeveria kanë refuzuar kategorikisht këtë kërkesë me arsyetimin se, situate me pandeminë në Shqipëri është e keqe dhe nuk mund të rrezikohet me një lëvizje kaq të rrezikshme duke bashkuar nga 1000 deri në 6000 vetë në stadium.

Në këto kushte, si Kombëtarja dhe klubet e Superiores duhet të vazhdojnë të luajnë pa përkrahës në stadium.

KËRKESA

Federata Shqiptare e Futbollit javë më parë tentoi që të ecë me hapin e UEFA-s. Kjo e fundit, me anë të një vendimi disa javë më parë, kishte njoftuar se të gjitha federatat kanë mundësinë që në ndeshjet ndërkombëtare si dhe ato kombëtare të mund të rikthejnë tifozët në shkallët e stadiumeve.

FSHF e ka përdorur këtë njoftim dhe lejim të UEFA-s për t’iu drejtuar qeverisë me një kërkesë që diçka e tillë të ndodhte edhe në vendin tonë.

FSHF i kishte bërë një kërkesë qeverisë nëse do të lejonte që për ndeshjet e Kombëtares në stadiumin kombëtar “Air Albania” të ishin të pranishëm 30% e kapacitetit të përgjithshëm.

Në bazë të një kapaciteti maksimal prej 22 000 vendesh, kërkesa për 30% spektatorë korrespondon me 6600 të pranishëm.

UEFA në vendimin e Komitetit Ekzekutiv të saj të disa ditëve më parë saktësonte se me gjithë këtë leje, vendimi final për rikthimin e pjesshëm të tifozëve u takon qeverive të vendeve respektive.

Sport Lajme Qeveria fshf kategoria superiore Covid-19 Futboll kerkesa kombetarja tifozet ne stadiume

EMISIONET