Rruga që nis nga Vllahinë dhe përfundon në Hadëraj, lidh 10 fshatra të Selenicës, por për shkak të gjendjes së degraduar, banorët atje ndjehen sikur të jenë të izoluar.

Kjo rrugë prej 15 kilometrash, e harruar në më shumë se tri dekada, ka izoluar mbi 3,000 familje.

Investimi i fundit që mbahet mend në këtë aks thonë se është bërë në vitin 1985.

Nga ajo kohë është ndryshuar sistemi dhe disa qeveri në demokraci, por banorët e Selenicës dorën e shtetit nuk e kanë ndier. Në rrugën e tyre maksimumi është hedhur vetëm cakull.

“I hedhin sa për të larë sytë o miku im dhe ikin”

“Po për fushata të gjithë dalin, pastaj largohen”, shprehen banorët.

Lëvizja në këtë aks thonë se është sfidë ditën me diell, ndërsa në natën është i frikshëm. Tregojnë raste kur kanë rënë pre e sulmeve në rrugë.

Për shkak të mungesës së investimeve, rreth 30 % e banorëve thuhet se janë larguar në 10 vitet e fundit.

“Janë larguar, ka pasur lëvizje demografike”, shprehet banorja.

Banorët thonë se në vazhdimësi kanë kërkuar ndërhyrje, por kërkesat e tyre kanë rënë në veshin e shurdhët të pushtetarëve, që siç thonë i shohin vetëm në fushatë e më pas i braktisin.