Një valë e dytë e infeksionit të koronavirusit ka zbarkuar në kontinentin europian, nga Holanda në Republikën Çeke e Ukrainë, duke kaluar nëpër Gjermani dhe Belgjikë.

Autoritetet belge njësoj si ato franceze kanë shtrënguar masat për qytetarët dhe bizneset.

Lokalet në Bruksel do të ulin qepenat për një muaj, numri i pjesëmarrësve në takimet shoqërore do të jetë i limituar, dhe jo më shumë se 4 persona të huaj do lejohet të qëndrojnë në banesë.

Në Francë, infeksionet e covidit të ri u rritën me 19 mijë raste në 24 orë.

Më shumë se 4 mijë të tjera u raportuan në Gjermani, shtetin model të betejës me pandeminë, ku nga e shtuna e ardhshme do mbyllen bar-restorantet para mesnate deri në 6 të mëngjesit.

Edhe në zonat qendrore të Skocisë, pub-et dhe lokalet do të ndalin aktivitetin nga e premtja për 15 ditë, duke shërbyer me ofruar me orare vetëm ushqime dhe pije joalkoolike në restorante.

Në Itali, Parlamenti miratoi një rezolutë për zgjatjen e regjimit të masave të jashtëzakonshme deri më 31 janar.

Maskat në publik tashmë janë me detyrim në tërë vendin, madje edhe në shtëpi kur takoni miqtë, rekomandoi kryeministri italian, ndërsa kush kapet pa to gjobitet deri në 1 mijë euro.

Pandemia nuk po kursen as shtetet fqinje, me rritjen e rasteve të infeksionit mes bluzave të bardha, një shqetësim ky që ka alarmuar veçanërisht Greqinë.

Qeveria greke e ka përjashtuar skenarin e izolimit përsëri si në muajt e pranverës, megjithëse vendi raporton mbi 400 raste të reja dhe mbi 420 vdekje gjithsej që nga fillimi i pandemisë.