Kryeministri britanik Boris Johnson do të anoncojë sistemin anti-covid me 3 nivele për Anglinë.

Johnson do të mbledhë pasditen e sotme Parlamentin, ku do të publikohet skema e mbylljes së vendit në tre nivele të ndryshme që janë: mesatare, e rrezikshme, shumë e rrezikshme.

Liverpuli pritet ta pësojë më shumë se çdo zonë tjetër, pasi 1.5 milionë banorët do të përballen me mbylljen e diskotekave dhe palestrave. Vetëm në javën e fundit, Liverpuli ka regjistruar rreth 600 raste të reja për 100 mijë banorë, duke alarmuar kështu gjithë vendit dhe duke zgjuar frikën për një valë të dytë pandemike.

Autoritetet lokale më herët kanë njoftuar që të mbyllura do të qëndrojnë edhe lokalet e basteve apo baret, teksa për momentin restorantet do të qëndrojnë të hapura deri në një njoftim të dytë.