Franca parashikon të heqë kufizimet antikovid në nivel kombëtar duke nisur nga 15 dhjetori.

Presidenti francez, Emanuel Makron, njoftoi se dyqanet franceze mund të hapen që nga kjo e shtunë, por qytetarët duhet të ruhen nga virusi për të evituar rikthimin e masave.

Pak momente para mesazhit të tij televiziv, autoritetet franceze raportuan mbi 450 jetë të tjera të humbura nga sëmundja infektive, duke e çuar mbi 50 mijë totalin e viktimave.

“Nga 15 dhjetori, në gjithë territorin, masa e ndalimqarkullimit do të aplikohet mes orës 21 dhe 7 të mëngjesit. Ndërsa gjatë netëve festive të 24 dhe 31 dhjetorit do mund të lëvizim lirshëm për t’i ndarë moment me familjet tona, por organizimet në rrugët publike nuk do të tolerohen.”

Vala e dytë e koronavirusit në Francë arriti kulmin javën e kaluar, duke e rënduar situatën me pacientët në spitale, por që tani duket më e stabilizuar.

Që prej tetorit vendi aplikon një kufizim thuajse total të lëvizjeve, me bar-restorantet, kinematë dhe teatro të mbyllura pasi nuk po realizohet objektivi i më pak se 5 mijë të infektuarve të rinj në ditë.

Presidenti Makron foli edhe për vaksinat që pritet të dalin muajin e ardhshëm.

“Vaksinimin nuk do e bëja të detyrueshëm. Ndoshta do nisim nga fundi i muajit dhjetor ose fillimin e janarit nëse certifikohen nga autoritetet shëndetësore, dhe duam të vaksinojmë më të rrezikuarit, pra më të moshuarit.”

Fushatat e vaksinimit janë planifikuar të nisin edhe në Spanjë e Austri nga muaji janar.

Vaksinat e sapozbuluara antikovid kanë rritur shpresat për rihapjen e ekonomive për një kohë të shkurtër, por për festat e dhjetorit, shtetet kryesore europiane si Italia, Gjermania dhe Britania kanë paralajmëruar se edhe pse me kufizime të pakta, ky fundvit nuk ka për të qenë si të tjerët.