"Vllazërorja" Shqipëri U21-Kosovë U21

"Vllazërorja" e eliminatoreve të grupit 3 të Euro 2021, mes Shqipërisë U-21 dhe Kosovës U-21 i buzëqesh kuqezinjtë. Të besuarit e Alban Bushit arritën që të "thyenin" komshinjtë "Dardanë", 2-1, duke regjistruar kështu edhe fitoren e parë në këto eliminatore. Në praninë e paktë të tifozëve, takimi i luajtur në "Elbasan Arena" solli emocione të mëdha. Grinta, spektakli dhe rastet ishin prezente që në minutat e para. Por pavarësisht momenteve të pastra për gol, Smakiqi në njërin krah dhe Selmani në krahun tjetër bënë që golat të "kurseheshin" për pjesën e dytë. Madje duhej të vinte minuta e 61-të, atëherë kur Bushi aktivizon Arbnor Mucollin, heroin e kuqezinjve ndaj Kosovës. Mesfushori i Velje në Danimarkë bëri gjithçka mirë, ku brenda pak minutash dhuroi asistin e golit të avantazhit dhe vulosjen e tre pikëve. Një krosim i tij nga goditja e dënimit u shndërrua në gol nga Tafa. Mbrojtësi i humbi mbulimit të kundërshtarëve dhe i vetëm përballë Smakiqit tundi rrjetën. Goli çoroditi miqtë e Prekazit, që tentuan të gjenin baraspeshën. Gjithsesi, hapësirat e lënë pas u shfrytëzuan mjaft mirë nga kuqezinjtë. Inkursioni fantasik i Mucollit "dehu" mbrojtjen, që në tentativë për të larguar sferën e përplasen me këmbët e 20 vjeçarit dhe përfundoi në rrjetë. Me avantazhin e dyfishtë, të besuarit e Bushit lëshuan shumë në lojë dhe Kosova goditi, por pa sukses. Goli i Baftiut në limitet e kohës së rregullt vetëm sa shtoi nervozizmin në radhët e kuqezinjve, por edhe tre pikët në tabelën e klasifikimit. Tashmë, numri i pikëve është pesë, me Shqipërinë që numëron 1 pikë më pak se Kosova, e cila nga ana e saj ka edhe një takim për të luajtur. Kjo fitore e afron akoma dhe më shumë me objektivin Europianin e vitit 2021 Shqipërinë, që ka 4 pikë më pak se Austria e vendit të dytë. Takimi i radhës për Shqipërinë është ai i 15 nëntorit kundër Anglisë në shtëpi, teksa Kosova sfidon në transfertë Austrinë./ FOTO LSA
"El Clasico" përmes fotove
06/05/2018 - 21:45