Skënderbeu "i prish" debutimin Sormanit

Dy penallti, dy autogol dhe 5 gola. Në Korçë ndodh gjithçka dhe në fund fiton Skënderbeu. "Ujqërit e dëborës" kanë mposhtur falë edhe gabimeve të dy 11-metërshave Partizanin me shifrat e ngushta, 3-2. Rezultat që i dhuron një debutim me humbje trajnerit të rikthyer tek kryeqytetasit, Adolfo Sormani. Takimi i luajtur në Korçë nisi mirë për Partizanin, që gjetën golin pas 7 minutash lojë me anë të Telushit. Megjithatë, "ujqërit e dëborës" gjetën forcën për të reaguar, teksa përmbysen gjithçka brenda pjesës së parë. Kartoni i kuq i marrë nga Broja la hapësira në mesin e fushës së Partizanit, që u shfrytëzuan nga të besuarit e Ilir Dajës, që fillimisht detyruan Bitrin të shkaktojë autogol dhe më pas, me anë të Blerim Krasniqit përmbysën gjithçka. Me rikthimin në fushë, rastet për gol nuk munguan në të dy krahët, por ishin sërish korçarët ato që shënuan. Dejvi Bregu gjeti fundin e rrjetës në të 83 minutë, duke e bërë të pavlefshëm autogolin e shkaktuar nga Dita pas krosimit të Trashit. Ndërkohë, pas kësaj fitoreje, Skënderbeu numëron 24 pikë në vendin e 8-të, duke u larguar nga ndjekësit që gjenden në zonën e ftohtë të klasifikimit dhe duke u afruar me Partizanin e vendit të 5-të që ka katër pikë më shumë. / FOTO LSA
Tirana "fluturon" në finale
08/05/2019 - 19:25