Gjykata e Korçës ka mbajtur në qeli Agim Çaçi,  42-vjeçarin me profesion jurist që bashkë me dy personat e tjerë grabiti me dhunë një kambist, por mbeti peng i tij derisa policia e vuri në pranga. Dy bashkëpunëtorët në grabitjen e 4 mln lekëve janë ende në arrati.

Personi në foto është Agim Çaçi, 42 vjeçari jurist me profesion, i arrestuar si një prej tre autorëve të grabitjes së dhunshme të 4 milion lekëve kambistit Shefqet Muço më 11 janar në Korçë.

Ai u neutralizua nga kambisti 57-vjeçar, i cili e mbajti deri në mbërritjen e policisë dhe nuk pranoi ta lejonte të ikte bashkë me dy bashkëpunëtorët edhe kur i vunë pistoletën në kokë.

Agim Çaçi, sipas hetimit kishte udhëtuar nga Durrësi bashkë me dy personat e tjerë drejt juglindjes dhe sipas hetimeve e kanë mbajtur nën vëzhgim kambistin Muço.

Ata ishin në dijeni të lëvizjeve që ai bënte nga Korça në Tiranë për shkëmbimin e valutës.

Ndaj mëngjesin e 11 janarit, tre grabitësit e kanë pritur pranë banesës 57- vjeçarin dhe e kanë sulmuar duke i marrë çantën me para teksa po futej në makinë.

Por ndryshimin e skenarit e solli reagimi i kambistit, i cili pavarësisht dhunës e kërcënimit arriti të ndalojë 42-vjeçarin të cilin këtë të enjte gjykata e Korçës vendosi ta mbajë në qeli me masën e sigurisë arrest me burg.

Dy bashkëpunëtorët e tjerë të juristit grabitës janë ende në arrati, ndërsa policia ende nuk ka mundur ti vënë në pranga edhe pse janë identifikuar.

LEXO EDHE:

Grabitja në shtëpinë e kambistit, merret masa për një prej autorëve

Kambisti ndiqej nga hajdutët deri në Tiranë. Dinamika e plotë e një krimi që tmerroi Korçën