Sekuestrimi i kamerave të sigurisë së bizneseve afër vendit ku ndodhi shpërthimi dhe itinerari që ka përshkuar të martën 51-vjeçari Preng Gjini pritet të ndihmojë në hetimin për kapjen e autorëve.

I plagosuri, ndonëse ndodhet në gjendje të rëndë, sipas mjekëve e ka kaluar rrezikun për jetën pas ndërhyrjeve të menjëhershme.

Ora News ka siguruar pamje brenda Spitalit të Traumës ku ndodhet i shtruar Preng Gjini, 50-vjeçari që i shpëtoi mbrëmjen e djeshme, 15 shtator 2020, një atentati me eksploziv në Tiranë.

Siç shihet edhe nga fotot e mëposhtme, Gjini është i intubuar dhe me dëmtime në pothuajse të gjitha pjesët e trupit.

Dritan Çela, shef i kirurgjisë në Spitalin e Traumës, tha se pas operacionit të djeshëm sot është planifikuar një ndërhyrje edhe nga mjekët okulistë.

“Gjendja e pacientit që ka ardhur dje me eksploziv është aktualisht e stabilizuar.  Pacienti për momentin është duke bërë një intervent nga okulistët. Përsa i përket operacionit të djeshëm, është bërë mirë në përgjithësi. Kanë ndërhyrë disa grupe mjekësh.  Në përgjithësi të gjitha parametrat kanë qenë stabël dhe gjatë natës kanë qenë të stabilizuara.

Ka patur kryesisht dëmtime në kokë, dëmtime të syve, dëmtime në qafë, një cifël i ka mbetur në gjendrën tiroide. Dëmtime në mushkëri, dëmtime në bark. Janë hequr një pjesë zorrësh, janë qepur një pjesë tjetër”, tha mjeku.

Sa i përket gjymtyrëve, mjeku u shpreh se përveç disa gishtave në dorën e majtë që rrezikojnë të priten, nuk ka asnjë problem tjetër.

Disa të shoqëruar

Ndërkohë në Rrëshen janë shoqëruar për tu marrë në pyetje disa persona që kanë pasur lidhje me ngjarjet e mëparshme të ndodhura në këtë qytet ku janë shënuar 5 viktima në tre vite në dy fiset Gjini dhe Reçi.

Deri tani nuk ka një emër të dyshuar si autor por grupi hetimor është në pritje të dëshmisë së 51-vjeçarit që fatmirësisht i shpëtoi vdekjes.

Ai pritet të japë sqarime mbi lëvizjet e bëra gjatë ditës së ngjarjes dhe pse ka ndërruar automjetin vetëm pak minuta para shpërthimit.

Mësohet se makina e dëmtuar është dërguar në ambjentet e policisë së Tiranës ku ekspertët kanë kryer kqyrjen e saj.

Sasia e lëndës plasëse është vendosur në vendin e pssagjerit ndërsa personat që kanë kryer komandimin sipas ekspertëve dyshohet të kenë qenë 50-100 metra larg saj.

Preng Gjini që pas vrasjes së vëllait të tij në gusht të 2019 nuk kishte një vendqëndrim të saktë.

Ai e bënte jetën mes Mirditës dhe Tiranës, ndërkohë që si duket për të shmangur një tragjedi në familje gruan dhe dy fëmijët i kishte larguar jashtë Shqipërisë.

Preng Gjini është vëllai i Armando Gjinit i cili u ekzekutua një vit më parë para katedrales së Rrëshenit.

NGJARJA

Nuk kishte shkuar ende ora 19:00, kur në Tiranë u dëgjua një shpërthim i fuqishëm, që në fakt ndodhi mbi urën që ndodhet tek ish-Stacioni i Fundit i Tiranës së Re, por që u ndje edhe në zona të tjera të kryeqytetit.

Një makinë tip “Mercedez Benz” hidhet në erë duke u dëmtuar në pjesën e përparme. Brenda makinës, dëshmitarë të shumtë panë një person të gjakosur, drejtuesi i mjetit, i cili nuk po lëvizte për shkak të plagëve të shumta që kishte marrë.

Brenda pak sekondash, zona u rrethua nga forcat e Policisë dhe ambulanca u nis menjëherë drejt vendngjarjes.

Menjëherë u konfirmua se personi brenda në makinë kishte shenja jete, edhe pse ndodhej në gjendje kritike dhe u nis me urgjencë drejt Spitalit të Traumës.

Më pas u mësua se i plagosur kishte mbetur shtetasi Preng Gjini, 50 vjeç, nga Rrësheni. E teksa Policia nisi verifikimet e menjëhershme për të mësuar më shumë rreth tij apo shkaqeve të ngjarjes, rezultoi se i plagosuri është vëllai i Armando Gjinit, i cili u vra vjet në një atentat mafioz, brenda në makinën e tij, teksa ishte i shoqëruar nga e shoqja dhe fëmijët.

PISTA KU PO HETOHET:

Preng Gjini është i fundit në listën e personave që i bëhet atentat, ndërsa konflikti midis dy familjeve në Rrëshen vazhdon prej vitesh. Teksa Preng Gjini ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës, kohë më parë, më 7 janar të këtij viti, u ekzekutua në mënyrë mafioze Kastriot Reçi.

Ai ishte viktima e pestë në tri vitet e fundit në Rrëshen. Në vitin 2017, Reçit i vranë vëllain, në mes të Romës në Itali. Në prill të atij viti, Gaspër Reçi, 43 vjeç, i cili jetonte prej vitesh në Romë, u vra nga 4 të shtëna me pistoletë, nga një distancë e afërt.

Ndërsa më 13 gusht të vitit 2019 u ekzekutua në qendër të qytetit të Rrëshenit, në sy të dy fëmijëve, Armando Gjini, vëllai i Preng Gjinit, i njohur edhe me emrin Tonin Gjini.

Shkak për këtë ngjarje, sipas Policisë, dyshohej e kaluara e tij në Belgjikë. Gjini u qëllua disa herë me pistoletë, ndërsa ndodhej brenda automjetit të tij përballë katedrales. 48-vjeçari dyshohet të jetë vrarë për shkak të prishjes së pazareve të drogës.