Rritet bilanci i viktimave në radhët e bluzave të bardha në vendin tonë si pasojë e Covid-19.

Këtë mëngjes ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare, mjeku i njohur Bledi Nini.

“Sërisht humbje e madhe në radhët e bluzave të bardha. Humb jetën nga Covid 19 Dr.Bledi Nini në moshën 48-vjeçare. Ngushëllime familjes dhe kolegëve të tij…Sërish asnjë masë mbrojtjeje ndaj bluzave të bardha…Sërish heshtje nga kushdo…”, shkruan Shoqata e Infermierëve.

Lidhur me këtë humbje reagon edhe aktivisti e pedagogu Erion Kristo.

Erion Kristo: “O vëlla, po pse ike? Na thave krahët! Ne prisnim fitoren tënde, po kjo gjëja e zezë të mori. Do na mungojë humori dhe e qeshura jote. Do i mungosh familjes, gruas dhe fëmijëve, prindërve të mrekullueshëm dhe motrës. Do i mungosh kolegëve dhe pacientëve. Do na mungojnë këshillat e tua. Mjekët e shkëlqyer që na rekomandoje. Po sa lojëra kemi bërë bashkë o vlla. Po sa herë i kthyem përmbys shtëpitë tona. Po të deshëm o vlla. Po ky virusi i poshtër na tmerroi. Është si bandë mongolësh në një fshat të pambrojtur o vëlla. Ka njerëz që nuk besojnë. As unë nuk besoja që do ikje. Lusnim Zotin përditë për ty, po nuk na dëgjoi. Të donte për vete. Doktor Bledi Nini ka ndërruar jetë. Nuk e besojmë dot. Ishe në lule të jetës vëlla. Fjalët nuk më vijnë më”.