Bashkia e Tiranës nuk ka pasur mundësi për të shlyer detyrimet për incineratorin, ndaj deputetët e PS kanë kërkuar që 500 milionë lekë ti përballojë buxheti i shteti. Amendamenti i propozuar në seancë ka ardhur në kulmin e përplasjeve politike, ku opozita akuzon për korrupsion me tre incineratorët.

Përplasjet politike për incineratorët nuk kanë penguar deputeten e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka, për të kërkuar një fond shtesë për landfillin e Tiranës.

Në amendamentin e dorëzuar 24 orë përpara miratimit të buxhetit thuhet se shtesa prej 500 milionë lekësh duhet të jetë në programin e “Menaxhimit të mbetjeve urbane”.

382 milionë të kësaj vlere do të akordohet për detyrimet e prapambetura që qeveria ka krijuar ndaj incineratorit të tiranës për periudhën 2019-2020.

Bushka deklaron se planifikimi prej 100 milionë lekësh për këtë projekt në vitin e ardhshëm e vendos Bashkinë e Tiranës në pamundësi për përmbushjen e detyrimeve kontraktore.

Fondet parashikohet se do të mbulohen nga rritja e të ardhurave të TVSH-së me të njëjtën vlerë.

Këtë të hënë Kuvendi miratoi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm por sipas dokumentave të publikuara në faqen zyrtare nuk bëhet e ditur nëse është pranuar apo jo kjo kërkesë.

Më parë u bë e ditur se koncesioni për landfillin e Tiranës arrinte në shumën e 1.38 miliardë lekëve, me një shtesë prej rreth 407 milionë lekësh krahasuar me këtë vit.

Tashmë dekreti është duke u shyrtuar në Presidencë për të marrë ose jo firmën e Kreut të Shtetit.