Kosova vazhdon të vuajë nga një plagë e hapur prej 20 vitesh, përballjen me drejtësinë ndërkombëtare që prej 1999.

I ftuar në një intervistë në studion e Ora News Artan Grubi, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut shprehet i keqardhur për këto zhvillime në Kosovë dhe ndan shqetësimin se mund të kenë ndikimet e tyre edhe në Maqedoninë e Veriut apo dhe Shqipëri.

“Katër figura kyçe të Kosovës, preken tre parti të ndryshme, PDK, Vetëvendosjen dhe Nismën . Tashmë janë në një proces që për fat të keq nuk është se do të mbyllet për një javë, një muaj, por duket sikur do të zgjasë më tepër.

Ka ridimensionim të skenës politike dhe kjo është për të ardhur keq se skena politike duhet të ridimensionohet me votë dhe vullnetin e qytetarëve dhe jo me procese të tilla të cilat vonojnë që në vitin 1998- 1999. Më vjen keq për këto zhvillime në Kosovë dhe ndaj shqetësimin se mund të kenë ndikimin e tyre edhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri e rajon.

Ne na duhet një Kosovë stabile e cila do të mbyllë kontestin me Serbinë me njohje reciproke të ndërsjelltë dhe të ecim bashkarisht drejt integrimit europian.

Ne i mbështesim plotësisht liderët e Kosovës dhe urojmë që të dalin më të unifikuar nga kjo sfidë.