Për dozat e para të vaksinës anti-Covid nga marrëveshja me Pfizer dhe nga mekanizmi Covax nuk ka ende një datë të përcaktuar se kur mund të vijnë në vendin tonë.  Aktualisht janë kryer mbi 600 vaksina, ndërsa po menaxhohen me kujdes dozat e mbetura për të mos lënë pa dozë të dytë të vaksinuarit e parë.

Megjithëse në javën e fundit të janarit, ende nuk ka një datë konkrete se kur do të vijnë dozat e para nga Pfizer dhe mekanizmi Covax.

Kryeministri, Edi Rama, deklaroi se janë në komunikim të ngushtë me Pfizerin, por thotë si Shqipëria nuk është mbrapa asnjë vendi, në këtë proces.

Rama: Për ata që kanë marrë dozën e parë, vaksina është aty. Është bërë kalkulimi që mos të humbasë procesi. Pfizer ka një problem me të gjitha vendet. Italia ka kërcënuar me një proces gjyqësor, sepse janë bllokuar dozat e premtuara sipas skedulit, sepse Pfizer ka lajmëruar një stop për zgjerimin e bazës prodhuese.

Faktikisht ne jemi në kontakt pa ekzagjerim 7 herë në ditë, që ata të respektojnë kontratën me ne. Dhe që të na sjellin partinë e parë të dozave. Ne nuk jemi vetëm në dorë të Pfizer, por jemi shumë para me negociatat me Astrazeneca,shpresoj që në ditët në vijim do të jap një lajm të mirë për këtë,  por nuk mund të thuhet kurrë me saktësi se kur ndodhin gjërat.

Mund të thuhet që Shqipëri nuk është mbrapa askujt dhe shqiptarëve nuk do ti mungojë kujdesi për të dalë sa më parë nga kjo flamë dhe kjo fazë kaq e vështirë e luftës me Covid, në raport me asnjë vend. Së shpejti shpresoj që të japim lajme të mira. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me PFizer dhe të lëshojë dozat si parti e parë. Unë besoj që në 10 ditët e ardhshme do të kemi stabilitet dhe qartësi për vaksinën.

Në lidhje me këto vonesa, zv/minsitrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, tha se janë duke menaxhuar me kujdes dozat aktuale, në mënyrë që të të kryhet edhe doza e dytë për të vaksinuarit e parë.

Këtë deklaratë zv/ministrja e bëri pas monitorimit të fushatës së vaksinimit në stadiumin “Air Albania” ku ndër të tjera u tha se procesi deri tani ka shkuar mirë.

Në 15 ditë vaksinim janë kryer 602 vaksina, nga 975 doza të mbëritura dhuratë për vendin tonë nga një vend mik.

Krahasuar me ditët e para të fushatës po kryhen më pak injektime dhe procesi po ecën me ritme të ngadalta.