Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë në Bashkimin Europian, Oliver Varhelyi, ka nisur vizitën zyrtare në Shqipëri me një fjalim para deputetëve në sallën e seancave plenare.

Gjatë fjalës së tij, zyrtari i lartë i BE u shpreh se, Brukseli i qëndron pranë Shqipërisë dhe rajonit në rrugët e tyre drejt anëtarësimit në familjen europiane.

“Nëpërmjet jush dua të përcjell një mesazh të qartë: do t’ju qëndrojmë pranë, do punojmë me ju që të bëheni shtete anmëtare.

Ballkani Perëndimor ka qenë përparësi për këtë komision. Ne kemi qenë të angazhuar për të treguar rezultate lidhur me Ballkanin Perëndimor. E ardhmja e gjithë rajonit është në BE.

Jemi këtu për të bashkëpunuar me ju në mënyrë që të ketë sa më shumë rritje ekonomike dhe vende pune”, u shpreh Varhelyi.

Sipas tij, BE do të jaapë për Ballkanin Perëndimor, në formë granti, plot 9 miliardë euro investime.

“Ballkani Perëndimor ka potencialin për të qenë qendra e investimeve për të gjithë botën. Dëshiroj ta shoh Ballkanin Perëndimor një qendër investimesh për të gjithë ivnestitorët globalë. Paketa e vitit 2020 tregon një panoramë të qartë se si e shohim ne situatën. Këto duhen të jenë kushtet thelbësore për të ecur përpara drejt BE”, shtoi më tej Varhelyi.