Fituan tregun, Vuçiç: Marrëveshje vetëm me ShBA, Kosovën nuk e njohim

Fituan tregun, Vuçiç: Marrëveshje vetëm me ShBA,

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç e konsideron në dobi të vendit të tij marrëveshjen e nënshkruar të premten në Uashington.

Në një konferencë për gazetarët, Vuçiç tha se Serbia ka bërë marrëveshje bilaterale me ShBA dhe se pala e tretë, Prishtina, nuk është pranuar prej tyre si subjekt i së drejtës ndërkombëtare.

Duke shpalosur fitimet që sipas tij ka siguruar nga marrëveshja, Vuçiç veçoi hapjen në Beograd të Zyrës së Fondit amerikan për Zhvillim, që do të japë një sinjal të fuqishëm për të gjitha agjencitë kreditore, për të gjithë investitorët, si ata amerikanë, ashtu edhe për ata perëndimorë.

Sa i përket dakordësisë së Prishtinës për t'u bërë pjesë e minishengenit ballkanik, Vuçiç deklaroi se Serbia ka arritur të garantojë tregun e përbashkët me Kosovën.

"Nuk ka rëndësi se e kujt është ideja, e ne fakt ka qenë e jona. Ne do ta kemi tregun e përbashkët. Nuk do të ketë më befasi me taksa e tarifa e kështu me radhë. Me këtë do të sigurojmë qarkullimin e lirë të njerëzve, të mallrave, kapitalit, shërbimeve. Kjo është me rëndësi së pari për serbët e Kosovës, e më pastaj për të gjithë qytetarët tanë, për gjithë Serbinë. Ekonomia jonë ka humbur gjysmë miliardi euro vetëm për një vit për shkak të taksës. Diçka të tillë nuk do të  ndodh më. Ne kemi ekonominë më të fuqishme, prandaj minishengeni është i rëndësishëm për ne, paçka se nga kjo përfitojnë edhe të tjerët" - deklaroi Vuçiç.

Sa i përket ndërtimit të hekurudhës mes dy vendeve, presidenti serb ka shmangur diskutimet për daljen në Adriatik, por u përqëndrua në faktin se për Beogradin është me rëndësi që linja të kalojë nëpërmjet Merdarës.

"Jemi dakorduar për ndërtimin e hekurudhës, se si ta lidhim atë pjesë, pra Prishtinën me Serbinë Qëndrore përsëri përmes Merdares. Përse përmes Merdares? Sepse disa kanë dashur që të marrin kontrollin e stacioneve hekurudhore serbe, të ndërtohet hekurudha nëpërmjet veriut të Kosovës dhe që Republika e Serbisë të mos ketë kurrfarë kontrolli mbi atë hekurudhë. Ne i referohemi Merdares si pikëkalim administrativ dhe duhet të jem i drejtë këtu edhe amerikanët i janë referuar njesoj, pra nuk i janë referuar si  pikë kufitare, kjo gjë është shumë e rëndësishme për ne" - tha Vuçiç.

Për Aleksandar Vuçic heqja e pikës 10 nga marrëveshja që fliste për njohje reciproke mes dy vendeve, ishte arritja më e madhe e Serbisë në këto negociata.

I pyetur sa i mundur është zbatimi në terren i marrëveshjes, presidenti serb sfidoi shqiptarët duke deklaruar se nëse mendojnë se mund të luajnë me Amerikën, le ta provojnë.

Rajoni Lajme SHBA Kosovë aleksander vucic njohja e kosoves marreveshja kosove-serbi marreveshje ekonomike

EMISIONET