Një video e publikuar në rrjetet sociale pak ditë më parë bëri namin. Në pamjet e publikuara shiheshin një grup djemsh duke rrahuar një djalë tjetër që ndodhej vetëm brenda një makine.

Në fillim u tha se protagonistët në video ishin dy reperët e njohur shqiptarë, Don Xhoni dhe Finem. Mirëpo reagimi nga Don Xhoni ishte i menjëhershëm.

Ai i hodhi poshtë të gjitha aludimet dhe u shpreh se nuk ishte ai në atë video dhe se gjithë këtë e ka bërë Finemi për vëmendje.

Madje Don Xhoni i bëri thirrje Finemit që të shkonte në Kosovë, nëse donte të përballej realisht me të.

Në një intervistë për “Prive”, Finem ka folur sërish për këtë ngjarje duke thënë se kjo histori është zmadhuar shumë.

Ai shtoi se asnjë nga personat e përmendur, duke nënkuptuar Don Xhonin, nuk ishin pjesë e videos. Reperi shtoi se ka lënë pas natyrën problematike dhe se shumë debate i kanë ngelur adoleshencës.

“Disa debate na kanë ngelur që në adoleshencë, por jemi munduar t’i shmangim. Përsa i përket asaj videos nuk e mora vesh pse u bë e madhe. Nuk është faji i mediave që duan të bëjnë lajm me emrin e dikujt, siç përdorin emrin tim. Kam reaguar pak fare në Instagram, dola live. S’doja fare të reagoja. Kemi të bëjmë me një video  që s’ka lidhje fare me asnjë nga sa është përmendur”– tha Finemi.