Specialisti i arsimit, Ndriçim Mehmeti shpreh shqetësimin për mbarëvajtjen e mësimit në shkolla apo fakultete në kushtet e pandemisë.

Në një intervistë për Ora News, Mehmeti rendit problematikat, të cilat duket se nuk janë marrë aq seriozisht nga Minstria e Arsimit, kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga 14 shtatori.

Sipas Mehmet-it, problemi më i madh shfaqet tek ato shkolla që janë shkatërruar apo dëmtuar si pasojë e tërmetit të 26 Nëntorit, për të cilat Ministria e Arsimit nuk ka asnjë plan konkret.

“Ne kemi 106 shkolla të shkatërruara, në vendet me popullsinë më të madhe; në Tiranë, në Durrës, Vorë, Krujë, Fushë-Krujë etj dhe kam përshtypjen se asnjë njeri në Ministrinë e Arsimit nuk i di këto. Ku do të bëjnë mësim këto fëmijë, nuk ka asnë plan. Sipas Ministrit të fatkeqësive natyrore, zotit Ahmetaj, dhe kryeministrit Rama këto shkolla do të happen me 26 Nëntor. Dhe sikur të hapen, çfarë do të bëhet gjatë dy muajve për mësimin në këto shkolla? Ato familje që janë prekur nga tërmeti, më thuaj si u vete interneti, në çadra apo në kontinier? Si do t’u blejnë ato smartphone fëmijëve për të ndjekur mësimin dhe nga ana tjetër Minstria e Arsimit thotë se 97% kanë smartphone. Po ku moj zonjë, ato nuk kanë bukë për të ngrënë. Ato nuk dinë se çfarë do t’u sjellë e nesërmja, vjen dimri dhe i gjen jashtë”

Sipas Mehmetit nuk ka asnjë studim që do të përcaktojë ato shtresa që kanë nevojë për një trajtim të specializuar ndaj masave antikovid në shkolla.

“Po bërtasin maska duhet të jetë e detyrueshme, por që të jetë e detyrueshme ti duhet t’i krijosh kushtet individit, sepse ka individë që s’kanë mundësi t’i kenë. Ka prindër që kanë tre fëmijë në shkollë, më thuaj si do të ia dalin ato në javë? Vetëm 750 lekë janë maskat që do të paguajnë dhe si do të bëhet transporti? Ne kemi thënë që do të përdorim vetëm 70 % të kapacitetit të transportit, pra nëse më para një furgon ishte 20 plus 1, tashmë do të jetë një furgon që është vetëm 14 plus 1. Shkojmë më tutje, kemi thënë që do të vijmë pa bukë me vehte. Keni bërë llogari  që në shkolla ka fëmijë me diabet, si do të ushqehet ai apo do t’i krijosh një komplikacion më shumë për shëndetin. Si do të bëhet me ata, të cilët do ta vendosin maskën, por e kanë problem për shkak të alergjisë, për shkak se janë me sëmundje respiratore, apo ngaqë janë me sëmundje kardiovaskulare; pra për të gjitha këto duhet të ketë një studim.

Mehmeti shton se ka një papërgjegjshmëri nga ana e Ministrisë së Arsimit pasi nuk po merr asnjë masë konkrete.

“Ka një problem shumë të madh, një absurditet që ndodh vetëm në Shqipëri që Ministri i Arsimit nuk është fare në task forcën. Pra, Ministri i Arsimit menaxhon jetën e mbi 600 e 40 mijë fëmijëve, të rinjve dhe studentëve dhe ky nuk është gjëkundi. Ky thotë, të presim se çfarë do të më thonë. Po si do të presësh, je ti që do të ofrosh alternativa. Vetë Ministrja e Arsimit ka deklaruar se 10 mijë veta nuk janë paraqitur fare në mësimin online. Kjo është e patolerueshme. Arsimi në bazë të Kushtetutës është e drejtë, jo privilegj. Arsimi deri në klasën e 9-të është detyrim”

Për të, shqetësim mbetet situata e shtresave në nevojë, për të cilat  nuk ka asnjë plan.

“Ne s’kemi folur fare për shtresat në nevojë. Çfarë do të bëjnë ato se kanë 6 muaj pa marrë asnjë shërbim, fëmijët autikë, ato të cilët kanë nevojë për fizioterapi apo për logoped, ato që nuk dëgjojnë dhe nuk shikojnë. Mendon njeri për këto shtresa, se një shoqëri e mirë nuk mendon për mua dhe për ju që e mbrojmë vehten vetë, por mendon për ato që janë të pamundur, për ata që janë në nevojë, për ata që i kanë mundësitë e kufizuara, për këto duhet të mendojmë neve. Si do të bëhet transporti i tyre, kanë menduar apo i thuhet prindit paguaj vetë se s’ka gjë, se prindi jonë është shumë i pasur. Këtu s’merr masë njeri, presin se çfarë do të na sjelli perëndia. Programi për shkollat nuk është gjëkundi, vetëm nëse kanë ndonjë kështu si kinder suprize, por këta punë nuk bëhen kështu, këta duan një plan afatgjatë.”

Mehmeti shprehet me pesimizëm mbi të ardhmen e të rinjve të vendit.

“Unë, me shqetësim shoh se fillimi i viti do të jetë shumë i vështirë dhe ne do të vuajmë pasoja mjaft të rënda, kjo jo vetëm në dije, por edhe në cilësitë e të rinjve tanë, në vlerat qytetare që ata mbartin, sië janë toleranca, mirëkuptimi dhe vlerat demokratike”

Intervistoi: Xhoi Malësia