Fifa i ka bllokuar merkaton e verës kulubit të Kukësit për shkak të dy pagave të padhëna ndaj futbollistit Filip Zderiç, i cili ishte pjesë e bluve në pjesën e dytë të sezonit 2017-2018.

Në rast se klubi nuk i paguan borxhin futbollistit kroat, atëherë do të dënohet me ndalin në tre dritaret e ardhshme të merkatos.

Në një komunikatë për shtyp klubi, sqaron se cështja ka shkuar në CAS, ndërsa inistojnë se do të dalin fitues pasi Zderiç theu rregulloren e klubit duke mos u grumbulluar me skuadrën, ndërsa vendosi të ndërpriste vetë kontratën.

“Futboll Klub Kukësi kërkon të sqarojë opinionin sportiv në lidhje me një vendim të dhënë nga FIFA në muajin janar, ku është bllokuar merkatoja jonë për shkak të një ankimimi të ish-futbollistit tonë Filip Zderiç.

Është e vërtetë që në klub ka ardhur një vendim i tillë, mirëpo ky vendim është i pakuptimë dhe klubi ka marrë masat e nevojshme për ta çuar çështjen deri në fund. Ky vendim tashmë është në CAS dhe është pikërisht kjo gjykatë, ajo që do të thotë fjalën e fundit.

Klubi ju siguron se nga kjo çështje, do të dalim të fituar sepse nuk ka asgjë të vërtetë nga ajo çka pretendon futbollisti në fjalë.

Mbrojtësit i është komunikuar që të bashkohet me grupin në grumbullim, mirëpo futbollisti ka refuzuar dhe për pasojë klubi e ka dënuar duke e dërguar të stërvitet me Kukësin B (aktiv asokohe). Futbollisti nuk e ka marrë parasysh këtë dënim të klubit, duke u larguar nga Shqiperia e duke shkelur kontratën dhe njëkohësisht duke bërë një denoncim me pretendimin se nuk është paguar.

Klubi ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm në CAS dhe tashmë jemi në pritje të vendimit për të fituar gjyqin!”, thuhet në komunikatën e kukësit.