Kanali të cilin banorët e fshatit Shën Pjetër në Fier, i kanë dhënë emrin ‘Lumi i vdekur’ prej vitesh nuk ka parë asnjë investim nga autoritetet lokale.

Në këtë lumë derdhen të gjitha ujërat e bardha dhe të zeza të zonës duke e kthyer në një rrezik infeksioni për shëndetin e banorëve.

”Ne kemi ujërat e bardha që bien në kanal pa blloqe, edhe era e mbeturinave të bllokon frymëmarrjen. Grumbullon të gjitha ujërat e fshatit, rri gjithë ditën mbushur me pisllëqe.”

Problematika për gati 200 familje të këtij fshati qëndron në mungesën e kanalizimeve duke e kthyer në një vend grumbullim mbeturinash.

Për shkak të papastërtisë banorët janë detyruar shpesh të marrin edhe ndihmë mjekësore por më shqetësuese për ta paraqitet situata për të vegjëlit.

”Vjen uji që andej këtu dhe bllokohet. Janë fëmijët e vegjë, e durojnë sot erën ata? Bëhen me asëm.”

Pavarësisht kërkesava për vendosjen e tubacioneve dhe pastrimin e këtij kanali, ende nuk është marrë asnjë masë dhe prej vitesh banorët jetojnë me të njëjtën situatë që rrezikon shëndetin e tyre.