Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim në Fier, i dënuar me 4 vite e 8 muaj burg.

Arrestohet në flagrancë një tjetër për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe kultivim të bimëve narkotike.

“Në vijim të kontrolleve, nga specialistët e Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim: Y. D., 54 vjeç, banues në Fier. Ndalimi i 54-vjeçarit u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.” – njofton policia.

Po ashtu, policia e Lushnjes, gjatë kontrollit të territorit, në fshatin Plug, konstatuan të mbjella disa bimë narkotike cannabis sativa.

Nga hetimet e kryera rezulton se autor i kultivimit të këtyre bimëve është shtetasi J. H., 26 vjeç, banues në Plug, Lushnje (i dënuar më parë për “Kultivim të bimëve narkotike”).

Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi, u gjetën disa doza me lëndë narkotike cannabis sativa dhe heroinë si edhe fara bime narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier arrestuan në flagrancë 26-vjeçarin, si edhe proceduan penalisht shtetasin e mitur A. D., pasi ka patur dijeni për këto bimë të kultivuara dhe nuk ka kallëzuar krimin.