Pas 5 ditëve luftë me flakët, është arritur izolimi i vatrave të zjarrit në qarkun e Fierit. Por rreziku i riaktivizimit mbetet present, ndaj vijon operacioni për shuarjen e plotë.

Prej pesë ditësh, masivi me pisha në Drenies të Patosit vijon të digjet.

Ndërhyrjet nga ajri e nga toka vetëm kanë mundur të izolojnë vatrat e zjarrit, por pa arritur t’i shuajnë plotësisht dy prej tyre.

Terreni i vështirë pamundëson ndërhyrjen me mjete, ndaj zjarrfikësit po veprojnë me mjete shpine, ndërsa forcat e tjera të përfshira në aksion me mjete rrethanore.

‘’Zjarri vazhdon prej 5 ditësh, tereni i vështirë e ka bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve vzjarrëfikse. I gjithë perimetri i jashtëm është ende jo aktiv.’’

Në mesditë u raportua vetëm një vatër zjarri ende aktive, ku u përqëndrua puna për ta fikur plotësisht, për shkak të rrezikut të riaktivizimit.

Në luftën me flakët janë angazhuar 133 persona, 4 mjete zjarrfikese, dy autobote dhe 8 mjete transporti.

‘’Na detyron që ta kemi në kontroll të vazhdueshëm. Aktualisht po punohet në shuarjen e vatrave të vogla.’’

Dyshimet janë se zjarret që përllogaritet se kanë djegur rreth 100 hektarë pyje në disa zona të qarkut të Fierit janë të qëllimshme, por policia ende nuk ka arritur të identifikojë autorë të dyshuar për atë që me të drejtë u cilësua si barbari ndaj mushkërive të gjelbra të natyrës!