Festivali i Kinemasë shqiptare në Romë mes rregullave anti-covid e titujve të harruar të autorëve shqiptarë

Festivali i Kinemasë shqiptare në Romë mes rregullave anti-covid

Nisi në Romë edicioni i dytë i Festivalit të Kinemasë shqiptare. Në zemër të kryeqytetit italian, në "Shtëpinë e kinemasë", e në sheshin që mban emrin e një prej aktoreve më përfaqësuese të këtij qyteti, Anna Magnani,  u mbajt nata e parë e këtij Festivali.

Një sallë kinemaje e projektuar në natyrë me karrige të pozicionuara të paktën 1 metër nga njëri-tjetri, të gjithë me maska në fytyrë, stjuardesë që masnin temperaturën e trupit të çdo spektatori, e lidhje virtuale nga Tirana me kritikë, ekspertë e autorë, nuk ia hoqën romanticizmin mbrëmjes romane që u bë dritarja e një kinemaje të harruar shqiptare.

"100% e "Qeshim se nuk mund të qajmë. Pse Kështu", qenë ndër titujt më të goditur të kësaj nate të parë.

Filmi "100%" me metrazh të shkurtër i regjisorëve Artan Minarolli e Petrit Ruka i realizuar më 1993, në ato vite post diktature ku askush nuk mendonte të bënte filma, solli  përmes ironisë e komicitetit të personazheve, realitetin e "demokracisë popullore" në dikaturën komuniste në një ditë votimi ku as vdekja nuk mund të vinte në diskutim fitoren 100% të Partisë së Punës.

Në një lidhje nga Tirana regjisori Petrit Ruka rrëfeu se "ishte hera e parë që po xhirohej një film në lirinë e plotë të mendimit, dy vjet pas shëmbjes së diktaturës kur Kinostudio "Shqipëria e re",  një mjet i propagandës së pushtetit ishte ende një ndërmarje shtetërore. 

"Filmi , tha ai, është realizuar me një shirit të cilësisë mjaft të keqe, mjaft i ndjeshëm ndaj dritës e marrë nga Gjermania Lindore në shkëmbim të frutave e perimeve".

Një rast unik ishte shfaqja e filmit të shkurtër " Qeshim sepse nuk mund të qajmë. Pse kështu" realizuar më 1956 i një prej regjisorëve pionierë të kinemasë shqiptare e asistent regjisorit të filmit të parë Skëndërberu (1953) Viktor Stratobërdha. 

Filmi i tij është copëza jete me mesazhe të forat etike kaq të nevojshme dhe në shoqërinë e sotme moderne. E po të ishte ende gjallë regjisori Stratobërdha që për artin e tij kritik hoqi mbi kurriz burgjet e perskutimin mizor komunist, do të vazhdontte të pyeste "Akoma kështu? Qeshim se nuk mund të qajmë".

"Festivali i Kinemasë shqiptare i titulluar "Albania si gira" është një reflektim mes dy vendeve, Italisë e Shqipërisë, mes asaj ç'kanë jetuar historia e marrëdhënieve mes dy vendeve, mes të tashmes e së ardhmes, është një reflektim ndaj vetevetes për italo-shqiptarët, pra emigrantët shqiptarë në Itali", u shpreh në fjalën përshëndetëse Ambasadorja shqiptare në Romë Anila Bitri.

Ndërsa në një lidhje nga Tirana drejtoresha e Arkivit të Filmit Iris Elezi do të informonte se "kjo natë ishte e veçantë për kinemaë shqiptare pasi në Itali po zhvillohehsin dy projekte të rëndësishme shqiptare; në Romë Festivali i Kinemasë Shqiptare e në Festivalin e filmit në Venecia ishte premiera e filmit iralnedez "To the moon", një projekt dyvjeçar i arkivit qëndror të filmit ku do të shfaqeshin sekuenca të filmit "Vitet e pritjes" të Esat Musliut e një poezi e shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti.

Edicioni i dytë i Festivalit të Kinemasë Shqiptare në Romë që sivjet ka zgjedhur si bosht qëndror temën e tranzicionit, një periudhë historike që karakterizon jetën e dy vendeve, do të vvazhdojë në "Shtëpinë e Kinemasë"  në Romë deri ditën e premte më 11 shtator 2020.

Nata e parë u mbyll me projektimin e filmit të restauruar "Tomka e shokët e tij" e regjisores Xhanfise Keko.

Kultura Lajme rome festivali i kinemase

EMISIONET