Drejtori i FBI-së Christopher Wray, e quajti Kinën “kërcënimin më të madh afatgjatë” për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Duke folur në Uashington, ai tha se Kina synon të bëhet superfuqia e vetme e botës. Tensionet janë rritur ditët e fundit me Uashingtonin që ka vendosur sanksione ndaj zyrtarëve kinezë për shkelje të të drejtave të njeriut.

Spiunazhi kinez dhe aktet e vjedhjes së pronësisë intelektuale me mbështetjen e qeverisë kineze paraqesin “kërcënimin më të madh afatgjatë” për të ardhmen e Shteteve të Bashkuara. Ky paralajmërim vjen nga drejtori i FBI-së, Christopher Wray, ndërsa foli para Institutit Hudson në Uashington.

Ai shtoi se Kina bën fushatë shumëpalëshe përçarjeje dhe ka nisur të shënjestrojë shtetasit kinezë që jetojnë jashtë vendit, duke i detyruar të kthehen.

“Bëhet fjalë për rivalë politikë, disidentë dhe kritikë që përpiqen të ekspozojnë shkeljet e gjera të të drejtave të njeriut në Kinë”, tha Wray.

Ai shtoi gjithashtu se Kina po punon për të prishur studimet amerikane të koronavirusit.

“Rreziqet nuk mund të jenë më të larta. Kina është e angazhuar për t’u bërë superfuqia e vetme në botë me çdo mjet të nevojshëm,” tha Wray.

Qëndrimi i kreut të FBI-së vjen në kohën e tensioneve të larta midis ShBA-së dhe Kinës. Vazhdimisht presidenti amerikan, Donald Trump, ka fajësuar Kinën për shpërthimin e pandemisë së koronavirusit, ndërsa autoritetet kineze i kanë hedhur poshtë akuzat.

Pas miratimit të ligjit të sigurisë kombëtare për Hong Kongun tensionet janë rritur në të tjera nivele dhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se administrata po shikon mundësinë e ndalimit të aplikacioneve kineze, përfshirë atë shumë popullor TikTok. Aplikacionet “shërbejnë si mjete shtesë të mbikëqyrjes për Partinë Komuniste të Kinës”, tha Pompeo.

Në një tjetër lëvizje Uashingtoni njoftoi kufizimin e vizave për disa zyrtarë kinezë, si kundërpërgjigje e pengimit që bën Pekini për diplomatët amerikanë, gazetarët dhe turistët në rajonin autonom të Tibetit.

Sekretari Pompeo tha përmes një deklarate se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për një “autonomi kuptimplotë” për tibetianët dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut atje. Ministria e Jashtme e Kinës e quajti këtë një lëvizje të gabuar.