Fatura 110 mln euro e Becchettit, Preçi: Pse na duhen Prokuroritë dhe SPAK kur nuk reagojnë për shkeljen e ligjit?

Fatura 110 mln euro e Becchettit, Preçi: Pse na duhen Prokuroritë

Një ditë më parë e përditshmja austriake, Der Standard,  raportoi se asetet e shtetit shqiptar nëpër botë kanë nisur të sekuestrohen për shkak se qeveria shqiptare ka refuzuar të paguajë gjobën e arbitrazhit, prej mbi 100 milionë euro, për biznesmenin italian, Francesco Becchetti.

Der Standard thotë se vetëm selitë diplomatike nuk mund të konfiskohen, ndërsa për pjesën tjetër firmat ligjore kanë të drejtë për të nisur procedurën e konfiskimit. Këtu përfshihen llogari bankare, apo lloje të tjera pasurish.

Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi,  thotë se Shqipëria siç është përfituese ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare ashtu edhe ka detyrime.

Sipas Preçit, shkelja e këtyre marrëveshjeve për interesa momentale politike është një kosto e rëndë mbi taksapaguesit.

Preçi: Shqipëria si nënshkruese e të gjitha marrëveshjeve dhe traktateve ndërkombëtare për tregtinë e lirë, investimet etj nuk është vetëm vend përfitues por edhe vend që duhet të përmbushë detyrimet  e saj. Shkelja e këtyre marrëveshjeve për interesa momentale politike, për ndikime oligarkike, për ego udhëheqësish etj është një kosto e rëndë mbi taksapaguesit, qytetarët dhe votuesit shqiptarë.

Për Ora News, Preçi thotë se për shkak të papërgjegjshmërisë së  qeverisë shteti shqiptar i ka humbur pothuajse të gjitha çështjet në Arbitrazh dhe gjykatat vendore.

Preçi: Ka disa vite që shteti shqiptar ka humbur pothuajse të gjitha çështjet në Arbitrazh ndërkombëtar, ka humbur pjesën më të mëdha të çështjeve dhe në gjykatat e vendit përjashto rastin e parkingjeve në Vlorë që e ka fituar shteti. Kjo edhe për faktin se hartimi i kontrave bëhet në mënyrë jotransparente, nuk merren parasysh konsultimet me ekspertë të fushës, bëhen përgjithësisht të mbyllura dhe në formë favorizuese për investitorët e huaj të cilët përgjithësisht këto vite kanë penetruar në ekonominë tonë përmes lobingjeve politike.

Për Preçin, vendimi për Becchettin është një gjë që nuk mund të shmanget por në të njëjtën kohë është një sinjal alarmi që parlamenti që është institucion kontrollues për qeverinë por edhe institucionet e tjera ligjzbatuese të zhvendosin vëmendjen nga penalizimi, ndëshkimi i padrejtë i qytetarëve tek përgjegjësia individuale e ligjbërësve, vendimmarrësve që kanë krijuar situata të tilla.

Eksperti nënvizon se precedentët nuk kanë munguar as në të shkuarën.

Preçi: Në harkun e 15-20 viteve të fundit qytetarët e mbajnë mend marrëveshjen e qeverisë shqiptare me Gjeneral Elektrikun për ndërtimin e linjës elektrike Tiranë-Durrës ku ishte parashikuar që nëse marrëveshja nuk zbatohet nga shtetit shqiptar, pra e hedh poshtë parlamenti, përgjegjësinë do ta kishte forma. Vetëm për tekat e disa ministrave të kohës nuk u ndoq kjo rrugë për ta rrëzuar marrëveshjen parlamenti, por u dërgua një letër, u ofruan mundësi të tjera dhe kompania e huaj e ndëshkoi shtetin shqiptar me 20 milion euro që janë paguar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për rastin e Rapiskanit ku situata ishte krejt qesharake pasi një pjesëtar i familjes mbronte kompaninë e huaj dhe një pjesëtar i familjes mbronte shtetin shqiptar, ishin një familje, bashkëshortë. Të tilla situata duhen ndaluar dhe në kushte normale duhen bërë analiza të thelluara për përgjegjësitë e personave të veshur me pushtet. Raste të tilla janë pafund dhe vlerësime të para tre viteve flasin për 2 miliard euro detyrime në formë penalitetesh të shtetit shqiptar. Më i fundit është Akërnia, parku energjitik.

Ndërkaq një faturë e re prej 110 milionë eurosh, i shtohet shpenzimeve që buxheti i shtetit shqiptar duhet të paguajë për shkak të gjyqeve në arbitrazhin ndërkombëtar.

Fituesi i tenderit për parkun e parë fotovoltaik në vend, atë të Akërnisë në Vlorë, me një investim prej 70 milionë euro do të kërkojë dëmshpërblim për mos përmbylljen të kontratës.

Preçi: Nuk e njoh në detaje. Por këto marrëveshje përgjithësisht  bëhen në favor të kompanive. Institucionet janë të mbushura me militantë dhe njerëz që i kanë si favore këto vende.Parlamenti është jashtë funksionit të vet.Për fat të keq taksapaguesit shqiptarë do të ballafaqohen me detyrime të tilla dhe në dekadën që vjen duhen analizuar PPP që vazhdojnë ti shkaktojnë kosto të madha taksapaguesve, kontrata me risk zero për kompaninë private dhe lobistët që qëndrojnë pas saj, ndoshta dhe rrjete politike të caktuara dhe me risk të mbartur 100 % në anën e buxhetit, nuk është respektuar pariteti i palëve. Dhe kritikat e opozitës për prishjen në bllok të këtyre kontratave i gjej të pamatura, të nxituara dhe populiste.Të gjithë duhet të mësohemi të referojmë ligjin për vendimmarrjen, prishja e kontratave të tilla bëhet vetëm për shkaqe të përligjura. Kjo nuk e zbeh detyrimin që ka ky parlament apo ai që vjen që të nxjerrë përgjegjësinë e personave të veshur me pushtet në vendimmarrje të kësaj natyre, të hetojë pasojat që i kanë shkaktuar sektorit publik. Para 3-4 viteve në Shqipëri shfaqi interes të merrte pjesë në një garë  për shitjen e Telekomit, Telekomi i Serbisë. Ishte vetë kryeministri që doli dhe tha nuk është e mirëseardhur. Qëndrime të tilla janë pamatura, të panevojshme dhe e nxjerrin vendin jashtë binarëve të ekonomisë normale të tregut. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëveshjen e javës së kaluar të  qeverisë së kryeministrit Rama me Ministrin e Jashtëm të Italisë. Çdo marrëveshje favorizuese me një vend të veçantë në kushtet Shqipëria është e hapur dhe ka nënshkruar traktate, marrëveshje ndërkombëtare për këtë qëllim shihet me dyshim nga investitorë të vendeve të tjera dhe nxiten të përdorin fuqinë e Arbitrazhit, fuqinë lobuese, paratë që disponojnë për të penalizuar një vend të varfër, të korruptuar dhe qeverisur keq, siç është vendi ynë.

Preçi thotë se do të mjaftonte që vetëm Autoriteti i Konkurrencës, nga një terësi institucionesh që kontrtollojnë shtetin,  të përmbushte detyrën  e tij dhe një pjesë e PPP nuk do të ishin nënshkruar fare.

Preçi: Sikur vetëm Autoriteti i Konkurrencës të përmbushte detyrën e vet një pjesë e këtyre kontratave nuk do të ishin nënshkruar dhe nuk do të ishin një gur në qafë, një barrë e madhe mbi buxhetin dhe taksapaguesit shqiptarë. Pse duhet të kemi institucione si SPAK apo Prokuroria nëse nuk reagojnë karshi shkeljeve të ligjit. KLSH ka ofruar evidencë të mjaftueshme.

Intervista në studio me gazetaren Eneida Ndoci, përgatiti për online Besjana Kuçana

Vendi Ekonomi Lajme zef preci

EMISIONET