Banorët në Allias të Ri të Tiranës kanë ngritur vazhdimisht shqetësimin për fabrikën e përpunimit të asfaltit që ndodhet pranë kopshtit, shkollës dhe qendrës shëndetësore të zonës. Ata kërkojnë zhvendosjen e fabrikës pasi u rrezikon shëndetin, ndërsa kritikojnë kryebashkiakun Veliaj se nuk ka mbajtur premtimin e dhënë.

Fabrika e përpunimit të asfaltit në Allias të ri vijon të jetë një problem shqetësues për banorët.

Banorët e zonës vazhdimisht kanë protestuar për largimin e kësaj fabrike sipas tyre vdekjeprurëse, por deri më tani nuk është marrë asnjë masë për zhvendosjen e saj.

Premtimet madje dhe nga kryebashkiaku Erion Veliaj duket se janë harruar.

“Kur vjen Lali Eri te shkolla thotë se do ta heqë fabrikën, ka 8 vite.”

Kërkesa e tyre e vazhdueshme është që fabrika të zhvendoset sa më parë pasi po ndot ajrin dhe dëmton rëndë shëndetin e tyre dhe të fëmijëve.

Kjo fabrikë e cila është varësi të Bashkisë Tiranë siç duket dhe nga pamjet është në kushte skandaloze çka rrit rreziqet për qytetarët.

“Është probleme shumë i madh për banorët këtu, kemi shkuar edhe në polici. Ka ardhur edhe policia këtu, nuk dimë se si të veprojmë.”

“Atë e ka kryetari i bashkisë, ai duhet të heqë.”