Partia Demokratike është drejt finalizimit të marrëveshjes me aleatët e saj opozitarë.  Deri më tani, dakordësia është arritur me PDK-në, LZHk-në dhe PAA-në, ndërsa në diskutime janë ende republikanët dhe PDIU-ja e çamëve.

Partia Demokratike është në fazën finale të diskutimit dhe mbylljes së marrëveshjeve me aleatët e tij opozitarë.

Basha ka arritur dakordësi me Partinë Agrare Ambientaliste, ku kryetari Agron Duka do të jetë i pari ndër tre emrat e parë në listën e Durrësit, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar do të jetë në pozicion fitues në listën e Tiranës, ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka, në qarkun e Shkodrës.

Përveç kryetarëve, këto parti do kenë kandidatë edhe në qarqet e tjera, por jo bredna pragut fitues.

Lulzim Basha po negocion dhe ende nuk ka mbyllur marrëveshjen me  Partinë Republikane dhe Partinë për Drejtësi Integrim dhe Unitet. 

Edhe drejtuesit e këtyre dy forcave politike, Fatmir Mediu dhe Shpëtim Idrizi,  do të jenë në listat e PD-së, por ende nuk është vendosur nëqoftëse do të ketë edhe ndonje emër tjetër në  listë fituese. 

Negociatat  vazhdojnë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e për këtë qëllim në zyrën e Lulzim Bashës ishte  mesditën e së enjtes, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Opozita pritet që në zgjedhjet e 25 prillit të shkojë me dy koalicione nën siglën e PD-së dhe LSI-së,   ndërsa po analizohet rezultati në çdo qark për të gjetur mekanizma që maksimalizojnë dhe orientojnë drejt votën për të prodhuar më shumë mandate.

E pa qartë mbetet marrëdhënia me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, të Vangjel Dules, dhe ende nuk është vendosur nëqoftëse do të kandidojë nën siglën e PD-së apo LSI-së.