Gazetari, Erl Murati, thotë se zgjedhjet e 25 prillit janë përcaktuese për të ardhmen politike të Lulzim Bashës.

I ftuar në Rtv Ora, ai thotë se Basha nuk e ka luksin të humbë edhe një palë zgjedhje të tjera dhe të vazhdojë të jetë kryetar i PD-së.

Murati: Pas 25 prillit, PS është forcë e parë në vend me gjasë, LSI forcë e dytë në vend dhe lideri i saj historik i saj Meta është president. Pikëpyetja është mbi të ardhmen politike të Bashës  i cili nuk ka më luksin të humbë një palë zgjedhje të tjera dhe të qëndrojë kryetar i opozitës edhe katër vite të tjera. Në 25 prill do të mësojmë kryeministrin e ardhshëm të vendit që do të jetë mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, njëri prej tyre mund të ketë tërheqjen pse jo edhe përfundimtare nga politika.

Sa i takon mënyrës se Basha po i qaset fushatës, ai thotë se kryedemokrati është i detyruar të ulë tonet para zgjedhjeve politike.

Murati: Opozita është e dënuar të marrë pjesë në zgjedhje dhe të nënshkruajë atë reformë zgjedhore që nuk është reformë. Përgjegjësi ka PS por edhe PD. Përgjegjësi ke edhe ti që si forcë politike bën marrëveshje me dikë dhe ta fusin. Nëse ty ta fusin vit pas viti sa herë bën marrëveshje është meritë e tjetrit por edhe përgjegjësi e jotja politike që nuk mban qëndrime koherente për ta bërë këtë të pamudnur. Basha e ka djegur kartën e revolucionit.Në një farë mënyrë e mirëkuptoj edhe reagimin e Metës që i kërkon të reagojë për marrëveshjen e 5 qershorit por ai nuk mundet. Është i zënë në kurth në njëfarë mënyre, u ul në tryezë me PS për marrëveshjen e 5 qershorit dhe me këtë hap PD e ka legjitimuar rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit. Në zgjedhjet e ardhshme PD nuk e ka atë kredibilitet për të thënë më vodhi votat PS dhe Edi Rama.

Sa i takon tensioneve mes Kryeministrit dhe Presidentit, ai ka këtë koment.

Murati: Lufta reale nuk është ajo midis Ramës dhe Metës pavarësisht tensionimit aktual, është thjesht fushatë elektorale. Basha ka menduar që këtë pjesën boshe të politikës agresive dhe radikale që e ka lënë Basha, hapësirë që deri dje e mbushte Berisha, ka menduar ta zërë Ilir Meta. Meta e ka bërë këtë dhe në 2017 dhe nuk i doli keq. Pavarësisht marrëveshjes Rama-Basha, LSI arrit 19 deputetë.