Borxhi publik i bashkisë së Tiranës përllogaritet në më shumë se 2 miliardë lekë, por kryebashkiaku do ta shtojë këtë barrë me kredinë për Teatrin Kombëtar. Ekspertët thonë se vendimi është i rrezikshëm në kohën e pandemisë, teksa theksojnë se teatri do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë.

Në një kohë që borxhi publik i bashkisë së Tiranës renditet në krye të listës për vlerën më të lartë, që kap shifrën e 2 miliard lekëve, kryebashkiaku Veliaj parashikon të rrisë barrën për qytetarët përmes kredisë për ndërtimin e Teatrit të ri me vlerë deri në 30 milion euro.

Agron Haxhimali: Bashkia e Tiranës do të vihet shumë në vështirësi financiare dhe ky borxh sigurisht do të rëndojë mbi taksapaguesit e kryeqytetit.

Nëse menaxhimi do të ishte efikas, thotë Haxhimali, ky borxh i mëparshëm do të duhet të ishte shlyer.

Agron Haxhimali: Borxhi është gangrenë për çdo institucion, gangrenë për bashkitë dhe frenues jashtëzakonisht negativ për zhvillimin dhe ecurinë e punëve të përditshme publike.

Teksa të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare dhe vendase parashikojnë regres në ekonomi, ekspertët thonë se kredimarrja gjatë pandemisë bëhet edhe më e rrezikshme.

Pano Soko: Në këtë situatë kryetari i bashkisë gjen logjikën për të na sjellë në vëmendje një borxh 30 mln eurio për të ndërtuar një teatër kur ne e kishim teatrin. Një borxh 30 mln euro për një bashki me rreth 130 mln euro buxhet do të thotë sikur shteti shqiptar të marrë sot 1 miliard euro borxh. Dhe kur? Në kohë më të keqe, kur ne u kemi dhënë njerëzve 13 mijë lekë në muaj për familje për të mbijetuar.

Nga ana tjetër, ekspertët thonë se në vendin tonë kultura nuk është biznes fitimprurës, ndaj dhe barra e kredisë që do të merret do të shkojë drejtëpërdrejt në xhepat e shqiptarëve.