Erdogan kërcënon Greqinë: Sulmeve u përgjigjemi me të njëjtën gjuhë

Erdogan kërcënon Greqinë: Sulmeve u përgjigjemi me të

Turqia ka kërcënuar Greqinë dhe Francën se nuk do i tolerojë provokimet që përshkallëzojnë tensionet në rajonin e Mesdheut Lindor.

Nga fillimi i javës, Ankaraja po zhvillon operacione për eksplorimin e zonave me gaz dhe naftë në territoret ujore afër Qipros dhe Kretës, që pretendohen si nga Greqia, edhe dhe Turqia.

Mësohet se të mërkurën, një luftanije greke tentoi t'i afrohet anijes eksploruese, vetëm kur hyri në perimetrin e një luftanijeje tjetër kundërshtare të flotës turke që po shoqëronte operacionin.

Sipas burimeve të informuara për ngjarjen, fregata greke manovroi për ta shmangur përplasjen ballore duke goditur lehtë me hundën e vet vetëm pjesën e prapme të mjetit turk.

Presidenti Rexhep Taip Erdoan tha se kësaj lëvizjeje të rrezikshme, pala greke u tërhoq.

"Sulmeve të tilla u jemi përgjigjur me të njëjtën gjuhë në operacionet që kemi pasur në Irakun Verior, në Siri, në Libi dhe në Mesdheun Lindor. Këtë bëmë edhe sot. U thamë, mos na e sulmoni anijen tonë 'Oruç Reis' ose do ta paguani rëndë, dhe sot ata e morën përgjigjen."

Ministrat e Bashkimit Europian zhvillojnë të premten një takim të jashtëzakonshëm për të adresuar tensionet mes Greqisë dhe Turqisë si dy shtete partnere të NATO-s.

Në telefonata të veçanta me presidentin e Këshillit Europian dhe kancelaren gjermane, Angela Merkel, Erdoan përsëriti një ditë më parë se do të mbrojë interesat sovranë të Turqisë.

Duke folur nga Zvicra, kryediplomati turk, Mehmet Çavusholu, tha se Zvicra ka ofruar të jetë ndërmjetëse e bisedimeve për pretendimet territoriale mes palës greke dhe Ankarasë.

"Greqia kërkon 40 mijë km katrorë shelf kontinental për një ishull të vockël. Bashkimi Europian duhet t'i bëjë thirrje Greqisë të veprojë me bonsens dhe jo t'i ofrojë mbështetje pa kushte. Franca, sidomos, duhet të ndalë hapat që i përshkallëzojnë tensionet."

Situata në Mesdheun Lindor është acaruar me marrëveshjen e fundit për demarkacion ndërmjet Egjiptit dhe Greqisë, që Turqia mendon se bie ndesh me një pakt të mëhershëm të arritur mes Ankarasë dhe Libisë për të shfrytëzuar së bashku një hapësirë ujore me kapacitetin për më shumë se një miliard e gjysmë fuçi nafte dhe gati 3 milionë e gjysmë metër kub gaz natyror.

Në vitin 1996, Turqia dhe Greqia rrezikuan luftën për shkak të pretendimeve sovrane mbi ishujt e pabanuar në Detin Egje.

Bota Lajme turqi sulm mesdheu lindor erdogan kercenon greqine

EMISIONET