Inceneratorët, që për opozitën janë afera më e madhe korruptive e kësaj qeveri, janë kthyer prej ditësh në debatin më të nxehtë politik.

Ambientalisti, Lavdosh Feruni,  duke argumentuar me terma teknikë thotë se vendi jonë duhet të heqë dorë prej tyre pasi jemi në rrugën e gabuar.

I ftuar në Rtv Ora, ai thotë se nëse qeveria do të ishte konsultuar me ekspertët ky debat do ishte mbyllur pas nisur ende, për arsye se në Shqipëri rreth 50% e mbetjeve janë organike dhe nuk mund të digjen.

Ndërsa plastikën, që është lëndë e djegshme, ai thotë se inceneratori i Elbasanit ja shet kompanive të riciklimit.

Feruni: Inceneratorët janë totalisht jashtë spektrit të menaxhimit të mbetjeve në kushtet e Shqipërisë. Edhe në nivel Ballkanik nuk kemi, as Greqia nuk ka inceneratorë. Teknologjia është që mbeturinat të digjen dhe të prodhojnë energji elektrike. Jemi në një situatë paradoksale që ka krijuar një kthim mbrapa të çështjes së menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri për arsye se është hequr dorë nga ndarja në burim që ishte diçka pozitive që filloi 4-5 vite më përpara në Tiranë dhe tani nuk funksionon më. Si referencë është inceneratori i Elbasanit. Realisht menaxhimi i mbetjeve në Tiranë dhe Elbasan është më i mirë nga çfarë ka qenë përpara.

Por këtu ka hyrë në lojë koncepti i inceneratorit, i cili nuk është funksional. Terknikisht ky i Elbasanit mund të ndizet nëse i hedh karburant dhe mund të prodhojë edhe energji. Praktikisht jo, për arsye se në Shqipëri ashtu si në gjithë vendet në zhvillim përqindja e mbetjeve është kryesisht organike, 50%. Nuk digjen se nuk kanë fuqi kalorifike.

 Që në fillim po të diskutohej kjo do të ishte qartësuar, po të bëheshin takime me ekspertë. Ajo që mund të digjet është plastika. Në Elbasan i mbledhin, e grumbullojnë plastikën që vjen dhe ua shesin kompanive të riciklimit. Çfarë duhet të djegin ato? Nga ana praktike nuk funksionon. Nuk mund të digjet lëkura e shalqinit dhe lëkura e preshit. Pikëpamja incenerator ka mbetur si fasadë.

E ndërsa Kryeministri pretendon se inceneratori në Elbasan prodhon energji dhe ka një sahat që e mat këtë, Feruni shprehet:

Feruni: Duhet verifikuar sa energji i ka dhënë OSHEE dhe sa ka marrë prej saj.Ka të ngjarë që më shumë të kenë marrë sesa kanë dhënë. Të bëhet bilanci. Edhe fikja dhe ndezja e tij është e papranueshme teknikisht.Inceneratori po u ndez duhet të punojë 24 orë në 350 ditë të vitit, se duhen 15-20 ditë për rikuperim. Dhe në botë po i shkatërrojnë inceneratorët.