Nuk ka ende asnjë vendim për fillimin e vitit të ri shkollor. Përmes një videomesazhi ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi se do të jetë task-forcë e cila do të dalë vendosë nëse shkollat do fillojnë më 15 shtator ashtu siç ishte caktuar data.

Besa Shahini: “Ne, stafi i MASR, agjencitë tona vartëse, disa nga drejtorët e shkollave, disa nga mësuesit, jemi duke bërë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.

Në korrik, kemi ndërtuar edhe një draft-udhëzues me skenarë të mundshëm për fillimin e vitit të ri shkollor duke synuar gjithmonë që të kthehemi në bankat shkollore.

Por, nëse këtë, do ta bëjmë me orar të plotë, me orar të pjesshëm apo duke e kombinuar edhe me mësim në kushte shtëpie, këtë vendim e merr Task-Forca për Koronavirusin kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor në varësi të situatës me përhapjen e koronavirusit të ri”,  

Shahini bën thirrje që secili prej të shtojë kujdesin në këtë situatë të pazakontë pandemie, duke mbajtur maskat, shtuar higjienën personale dhe ruajtur distancën sociale. Në këtë formë, sipas Shahinit, do të rriten edhe shanset për t’u rikthyer në bankat shkollore:

Besa Shahini: “Dhe kjo është e rëndësishme, sepse ju kam dëgjuar me shumë kujdes: shumica e nxënësve, prindërve dhe mësuesve duan të kthehen në shkollë. Mësimi në kushte shtëpie është i vështirë. Është i domosdoshëm kur nuk mund të kthehemi në shkollë, mirëpo është i vështirë. Ndaj, ju lutem, të ruani distancën, mbani maskat dhe higjienën në mënyrë që të rrisim shanset për t’u kthyer në bankat shkollore”, – tha Ministrja Shahini. 

Skenaret -Shahini nënvizoi se MASR është duke punuar fort për të qenë të përgatitur për çfarëdo lloj skenari.

Besa Shahini: “Gjermania, tashmë i ka hapur shkollat, por ka qenë e detyruar t’i mbyllë disa për shkak të shpërndarjes së virusit. Turqia ka vendosur të mos i hapë shkollat, por të punojë vetëm në kushte shtëpie fillimisht. Ndërsa Shqipëria do ta marrë këtë vendim kur të jemi më afër datës së fillimit të vitit të ri shkollor. Në momentin e parë që të kemi një orientim nga Task-Forca për Koronavirusin se në çfarë forme do të mund të fillojë ky vit shkollor, ne do t’i bëjmë të gjithë konsultimet e nevojshme me këshillat e prindërve, me sindikatat dhe parlamentin e nxënësve dhe do t’ju informojmë çdo ditë për vendimmarrjen, si dhe për mënyrën se si do të zbatohet plani ynë për fillimin e vitit të ri shkollor”.