Vodhi bankën që drejtonte në Gjirokastër, arrestohet drejtori i shpallur në kërkim

Vodhi bankën që drejtonte në Gjirokastër, arrestohet

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 41-vjeçar i cili ndodhej në kërkim pasi gjykata e ka dënuar me 18 muaj burg për vjedhje duke shpërdoruar detyrën.

Artan Nisllaj banues në Tiranë, u arrestua pasi është shpallur fajtor nga gjykata për vjedhjen e shumës prej 15 mijë eurosh në kohën kur ka qenë drejtor në degën e “Emporiki Bank” në Gjirokastër.

Ngjarja në fjalë është regjistruar në vitin 2013, por i pandehuri është përballur me një serë procesesh gjyqësore gjatë gjithë këtyre viteve.

Fillimisht Gjykata e Shkallës së Parë e ka dënuar me 300 mijë lekë 41-vjeçarin, ndërsa Gjykata e Apelit Gjirokastër i ka dhënë dënimin me 18 muaj burg.

Ky vendim është kundërshtuar nga ish-drejtori i bankës Nisllaj, i cili e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ku kolegji pranë këtij institucioni vendosi të rrëzojë kërkesën e të pandehurit për ndryshimin e vendimit të Gjykatës së Apelit.

Nisllaj pretendonte se prokuroria nuk e ka vërtetuar vjedhjen e shumës prej 15 mijë eurosh, por ky pretendim sipas kolegjit të Gjykatës Kushtetuese nuk qëndron pasi dënimi është dhënë nga gjykata pas kërkesës së organit të akuzës.

Vendimi i vitit 2017 është dhënë në kohën kur Gjykata Kushtetuese ishte funksionale, nga gjyqtarët Fatos Lulo, Gani Dizdari dhe Fatmir Hoxha, të cilët janë shkarkuar nga vettingu në drejtësi.

Sipas policisë pas vendimit të Kolegjit të Gjykatës Kushtetuese, Nisllaj ka qëndruar i fshehur për tu arrestuar këtë të enjte, 12 nentor, me qëllim vuajtjen e dënimit prej 1 viti e gjashtë muaj, siç është vendosur nga gjykata e Gjirokastrës.

Vendi Banka Lajme arrestim policia vjedhje Kronike drejtori

EMISIONET