Një efektiv policie u përplas me makinë në krye të detyrës nga një 32 vjecar me precedentë të theksuar kriminal që ishte në kërkim.

Autorit Klevis Balloku, i është bërë shenjë të ndalojë, pranë një pike kontrolli në aksin Fushë Krujë Tiranë të ngritura për kapjen e personave të rrezikshëm në kërkim.

32 vjeçari ka refuzuar të ndalojë dhe gjatë largimit me shpejtësi ka përplasur efektivin Çesk Martuzi.

Ky i fundit është dërguar me shpejtësi për ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në ndjekje të 32 vjecarit Balloku  janë vënë forca të tjera policore të cilët kanë arritur ta arrestojnë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në vitin 2012, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Heqja paligjshme e lirisë”.

Në mars të atij viti (2012) ai mbajti peng për 5 orë 4 familjarë të cilët i kërcënonte me armë zjarri, ngjarje për të cilën është plagosur me armë më vonë nga i vëllai.

Por veçse si person me precedentë penalë, Klevis Balloku sipas burimeve njihet edhe për probleme të shëndetit mendor.

Në vijim Priten akuzat që prokuroria do të ngrejë ndaj 32 vjeçarit që përplasi me qëllim efektivin e policisë duke i rrezikuar jetën në detyrë

Njoftimi i policisë:

Nuk i bind urdhrit për të ndaluar, aksidentoi punonjësin e Policisë dhe u largua nga vendngjarja, kapet në kohë rekord autori i dyshuar.

32-vjeçari që drejtonte mjetin, person me precedent të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe heqjen e paligjshme të lirisë.

Më datë 01.10.2020, rreth orës 12:00, në aksin rrugor Fushë Krujë-Tiranë, në një nga pikat e kontrollit e ngritura në kuadër të Planit të Masave, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që lëvizin me armë zjarri, shërbimet e Policisë i kanë shenjë një mjeti tip “Audi” për të ndaluar, por drejtuesi është larguar me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë Rrugore, i cili është dërguar në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe e kanë arrestuar në flagrancë shtetasin K. B., 32 vjeç, banues në Fushë Krujë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në vitin 2012, për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Heqja paligjshme e lirisë”.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.