Bota shqiptare e mirëpriti emërimin e Antony Blinken në postin e Sekretarit të Shtetit nga presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden. Zoti Blinken, që ka shërbyer në administratën Clinton është një njohës i mirë i Kosovës dhe i Ballkanit në përgjithësi. Ra në sy edhe caktimi i ish-sekretarit të Shtetit John Kerry, si i dërguar i posaçëm për çështjet e klimës.

Presidenti i zgjedhur i ShBA-së, Joe Biden njoftoi të hënën figurat kyçe të kabinetit të tij të ardhshëm, duke filluar me ish-këshilltarin e tij të politikës së Jashtme Antony Blinken në postin e Sekretarit të Shtetit.

Vëzhguesit e zhvillimeve në Ballkan, e kanë quajtur këtë një lajm pozitiv për rajonin dhe botën shqiptare.

Zoti Blinken, ka qenë pjesë e administratës Clinton gjatë viteve ‘90.

Ai paralajmëroi misionin faktmbledhës të OSBE-së në Kosovë dhe madje kërcënoi me bombardime ish-presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviç.

Gjatë bombardimeve në Serbi, zoti Blinken ka punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë si Drejtor i Lartë për Europën.

Më vonë është marrë edhe me Ballkanin në poste të ndryshme në Senat dhe në Departamentin e Shtetit.

 Analisti dhe ish-diplomati Daniel Fried e vlerëson se Blinken-in “më shumë si Albright sesa si Obama”, pra i linjës së ashpër brenda demokratëve dhe më pak hezitues për të përdorur fuqinë amerikane në botë.

Kthehet në Shtëpinë e Bardhë edhe ish-sekretari i Shtetit John Kerry, kësaj here si i dërguar i posaçëm për çështjet e klimës.

Presidenti i zgjedhur Biden ka kandiduar gjithashtu në kabinet amerikanojugorin e parë, avokatin e lindur në Kubën komunitete, Alejandro Mayorkas, për të drejtuar Departamentin e Sigurisë Publike, departament që ndër të tjera mbikëqyr edhe çështjet e imigracionit.

Drejtore e Komitetit Kombëtar të Zbulimit është përzgjedhur zonja Avril Haines, ish-zv./drejtore e përgjithshme e CIA-s.

“Ne nuk kemi kohë për të humbur kur fjala bie për sigurinë kombëtare dhe politikën e Jashtme. Këta individë kanë përvojë të mjaftueshme dhe të provuar në periudhë krizash,” thekson një deklaratë e ekipit të Biden-it.

Prezantimi i kabinetit të ardhshëm të presidentit të ShBA-së vjen ndërsa zbehen në maksimum shpresat e kreut të tanishëm Donald Trump për të përmbysur rezultatin.

Tani së fundi edhe zyrtarët e shteteve Miçigan dhe Pensilvani njoftuan se do ta certifikojë rezultatin që i jep Biden-it fitoren.