Emrat e KQZ-së gati deri në 2 tetor, 12 emrat do të marrin shumicë të cilësuar në parlament

Emrat e KQZ-së gati deri në 2 tetor, 12 emrat do të marrin

Komisioni i posaçëm parlamentar dhe i dërguari i posaçëm i PD kanë marrë në dorë dosjet e kandidatëve të KQZ. Java e ardhshme do të nisë me seanca dëgjimore me aplikuesit dhe më pas Gjiknuri dhe Bylkbashi duhet ta pastrojnë listën deri me 2 tetor. 7 emrat e preferuar të mazhorancës dhe 5 të opozitës së bashkuar do të duhet të marrin shumicë të cilësuar në parlament.

Java e ardhshme do të jetë vendimtare  për formimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kandidatët do të kalojnë në sitën e grupit të punës, në të cilën do të marrë pjesë edhe i dërguari i posaçëm i PD, Oerd Bylykbashi.

Të gjithë aplikuesit do të paraqesin para 6 anëtarëve të grupit të punës platformën e tyre për të fituar një vend në këtë institucion.

Gjiknuri: Javës tjetër ne do të fillojmë me shqyrtimin dhe përzgjedhjen e kandidaturave, dhe më pas do të fillojmë procedurat e konsultimeve me PD-në që është pjesë përmes dispozitave tranzitore, për të zgjedhur komisionerin, nënkomisionerin dhe anëtarët e KQZ-së. Po shqyrtohen dosjet nga administrata e Kuvendit.

Mazhoranca ka të drejtë të përzgjedhë 3 kandidatura nga lista e aplikantëve, por pasi përfaqësuesi i PD eliminon njërin prej tyre, në Kuvend shkojnë vetëm 2 prej tyre.

E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për nënkomisionerin, por tashmë 3 emrat i takojnë t’i zgjedhë Oerd Bylykbashi, ndërsa Damian Gjiknuri ka të drejtë të përjashtojë njërin nga kandidatët.

Ndërsa përsa i përket formimit të Komisionit Rregullator, 5 emrat do të shkojnë në Kuvend për t’u votuar në një listë të përbashkët.

2 prej kandidatëve do të jenë të opozitës së bashkuar. Edhe 5 anëtarët e tjerë të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve do të shkojnë përpara deputetëve të Parlamentit në një listë unike, ku dy prej emrave janë të preferuarit e PD.

Grupi i punës i ka marrë tashmë dosjet e kandidatëve dhe deri me 2 tetor duhet t’i ketë gati emrat për t’i çuar në Kuvend, ku pritet që në seancën e 8 tetorit të miratohen.

12 anëtarët e rinj të KQZ duhet të marrin 84 vota, në rast se nuk arrihet atëherë Kuvendi do t’i zgjedhë me short.

Pavarësisht se emra të veçantë janë tashmë të preferuarit e PS për kryekomisioner dhe të PD për nënkomisioner, përzgjedhja e tyre do të varet shumë nga emri që do t’i përjashtojnë njëri-tjetrit para se ti çojnë në Kuvend.

Vendi Lajme Politikë Lajmi i fundit parlament emrat kqz shumice

EMISIONET