Dy operacione të policisë në Tiranë dhe në Korçë arrestuan 14 persona mes të cilëve doganierë, efektivë të rendit dhe tregtarë pasi dyshohen se kishin krijuar në dy raste skemë të futjes së mallrave në vend pa i deklaruar në kufi. Personat e përfshirë janë evidentuar në aeroportin e Rinasit dhe doganën e Goricës në Korçë pasi kishin kaluar një sasi të mëdha mallrash kontrabandë.

Gjashtë doganierë, 2 punonjës policie dhe 6 persona tregtarë janë arrestuar nga policia dhe SHÇBA pasi akuzohen se kanë lejuar kalimin e mallrave kontrabandë në aeroportin e Rinasit dhe në doganën e Goricës.

Sipas burimeve të policisë, rasti i parë u konstatua në aeroportin e Rinasit ku u vunë në pranga 9 persona mes tyre dhe 4 doganierë.

Policia tha se në kuadër të operacionit “Rinas Express” janë arrestuar Bjordi Kasmi, Alkida Lazri, Qani Lazri, i dënuar më parë për kontrabandë më mallra që i nënshtrohen regjimit doganor, Lonora Legisi dhe Altin Legisi.

Gjithashtu policia arrestoi dhe doganierët Baftjar Kazias, me detyrë Shef Sektori në Sektorin Operacional terminal Rinas, Theodhor Naçi, me detyre doganier në aeroportin e Rinasit me detyrën kontroll në skaner pranë kontrollit fizik, Muhamet Liçaj, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut; Edlira Saliaj, me detyrën e vëzhguesit si doganier i fizikut.

Gjatë aksionit të arrestuarve u janë sekuestruar, tri automjete që kanë shërbyer për transportin e mallrave kontrabandë pas daljes nga dogana, veshje të markave dhe modeleve të ndryshme, si dhe 15 aparate celularë.

Në cilesinë e provave material shtetasve të dyshuar të arrestuar u janë sekuestruar:

  1. Tre automjete që kanë shërbyer për transportin e ketyre mallrave të dyshuar kontrabandë pas daljes nga dogana
  2. 90 pallto të markave të ndryshme
  3. 100 xhupa të markave të ndryshme
  4. 70 triko (bluza) të markave të ndryshme
  5. 60 kostume sportive të markave të ndryshme
  6. 30 palë kepucë të markave të ndryshme
  7. 50 fustane të markave të ndryshme
  8. 20 cope canta të markave të ndryshme
  9. 50 bluza të markave të ndryshme
  10. 15 aparate celularë të markave të ndryshme

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Kontrabande me mallra të tjera” Tregtim dhe transportim i mallrave qe janë kontrabande” “Fshehjes te ardhurave” ,vepra këto të kryera në bashkëpunim të parashikuara nga nenet 174/2 178/2 dhe 180 të Kodit Penal.

Ndërsa për punonjësit e doganës për veprat enale të parashikuara nga nenet 175 dhe 248 të K.Penal.

Mbyllën sytë para kontrabandës në kufi, arrestohen 2 policë e dy doganierë

Rasti i dytë u konstatua paraditen e kësaj të enjteje pasi është provuar se doganierët dhe efektivët e policisë kufitare nuk kanë kryer kontrolle ndaj një automjeti i cili ka hyrë në Shqipëri, duke lejuar kalimin e mallrave kontrabandë.

Nga kqyrja e pamjeve filmike ka rezultuar se punonjësit e Policisë, edhe pse kanë patur pamje vizuale të mallit, me mosveprim kanë favorizuar veprimet e kundërligjshme të punonjësve të doganës dhe këtij shtetasi për kalimin e mallit pa kryer procedurën e zhdoganimit.

6 tregtarë e arrestuar akuzohen për kontrabandë të mallrave, ndërsa për punonjësit e doganës dhe efektivët e policisë janë ngritur akuzat për shpërdorim detyre.