Emergjencat Civile modernizohen me uniforma dhe mjete të reja, donacioni 1.5 mln dollarë nga Turqia

Emergjencat Civile modernizohen me uniforma dhe mjete të reja, donacioni

Emergjencat civile tashmë do të kenë pajisje dhe uniforma më dinjitoze për të përballuar fatkeqësitë natyrore. Qeveria turke ka bërë të mundur një donacion prej 1.5 milionë dollarë amerikanë. Në prezantimin e këtyre pajisjeve, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha se shumë shpejt emergjencat civile shqiptare do të jenë më të mirëpajisurat në Ballkanin Perëndimor.

Strukturat e Emergjencave Civile, pjesë e Forcave të Armatosura do të jenë  shumë herë më të mirëpajisura dhe më dinjitoze në përballimin e fatkeqësive natyrore.

Gjatë ceremonisë së prezantimit të uniformave dhe mjetëve të reja të strukturave të emergjencave civile, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, vlerësoi bashkëpunimin me Turqinë, në këtë aspekt.

Xhaçka: Nuk ka sot dëshmi më të qartë të profesionalizmit e nivelit të organizimit që kanë arritur sot Forcat e Armatosura sesa aftësia që ato kanë treguar për të përballuar të papriturat që na ka rezervuar natyra. Unë jam krenare për punën e çdo burri e çdo gruaje në uniformë që e ka bërë të mundur këtë performancë kaq të mirë. Jam krenare që falë punës së tyre, por edhe falë mbështetjes së miqve e partnerëve e të vetë kryeministrit që ka qenë nga mbështetësit kryesorë të transformimit të emergjencave civile, qytetarët shqiptarë mund të jenë sot të sigurt që pavarësisht emergjencës apo fatkeqësisë, ata nuk do të jenë kurrë vetëm në momentin e tyre të nevojës.

Ambasadori i Turqisë në vendin tonë, Murat Ahmet Yörük, vlerësoi marrëdhëniet mes dy popujve dhe nënvizoi se vlera e mjeteve, pajisjeve dhe uniformave të reja të dhuruara nga qeveria turke arrin në 1.5 milionë dollarë amerikanë.

Pjesa e parë e grantit të qeverisë turke përbëhet nga 6 autoambulanca të reja, të pajisura me të gjitha aparaturat dhe mjetet e nevojshme, mbi 1 300 uniforma për operacionet e kërkim shpëtimit në raste përmbytjesh, tërmetesh apo të shuarjes së zjarreve.

Vendi Lajme olta xhacka Aktualitet emergjencat civile

EMISIONET