Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Ismail Elezi tha se siguria në vendin tonë është për të ardhur keq, pasi kurba e krimit është e shtrirë pothuajse në të gjithë vendin.

Për Elezin, policia e shteti është politizuar  duke krijuar struktura si OFL që janë metoda për t’u bërë presion njerëzve.

Ismail Elezi: Rendi dhe siguria në vendin tonë është për të ardhur keq. Kurba e krimit është e shtrirë pothuajse në të gjithë vendin. Sot i mbushet mendja dikujt dhe gjuan me 100 plumba dikush përballë një hoteli dhe nuk do t’ia dijë se mund të vrasë 2 apo 100. Kur masat duhet të ishin në ekstrem, por nuk do t’ia dijë njeri. Nuk ka më punë operative, sepse është politizuar policia e shtetit. Çdokush që ndodhet në atë institucion i shërben vullnetit politik.

Sot është krijuar një OFL që dërgon vetëm formularë. Ky institucion vetëm po shkatërron hetimin. Ligji anti-mafia e ka përcaktuar qartë se nëse një shtetas është dënuar për një vepër penale, e ka për detyrim ligjor që të deklarojë burimin e pasurisë. Pastaj shkon OFL dhe i dërgon një copë letër për të deklaruar pasurisë. Kjo është një metodë për t’i bërë presion njerëzve, se kur i drejtohesh dikujt duhet të kem një urdhër prokurori dhe një vendim gjykate.

Elezi tha se në rastin e RTV Ora, prezenca e policisë në televizion është një turp.

Ismail Elezi: Në rastin e televizionit tuaj prezenca e policisë është turp. Edhe hetimi ka një logjikë. Vendosen në sekuestro 26 prona, që nuk i ka bërë të gjitha me punë të pista dikush. Si mund të futesh ti me forca policie në televizion? Z. Ndroqi mund të thirrej dhe të shoqërohej, se këtu nuk ka kriminelë. Shumicën e televizioneve ke frikë t’i hapësh se të dalin o Rama o Veliaj.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti A. Kurti