Gjykata e Vlorës caktoi masën e sigurisë arrest me burg për Kliti Lekën, 53-vjeçarin e akuzuar se ekzekutoi biznesmenin Niko Goro në Himarë.
Gjatë seancës për rivlerësimin e masës së sigurisë, ai qëndroi i qetë dhe i ftohtë, pa shprehur ndjesi pendese.

Me maskë mbrojtëse kundër koronavirusit e veshje sportive, ai u shfaq i qetë brenda kafazit të xhamtë.

Në kohën kur mediat u lejuan të filmojnë nuk nguronte të shikonte drejt objektivit të kamerave.

Madje përballë akuzës për vrasje, mbrojtjen ia kishte besuar avokatit të caktuar kryesisht nga shteti.

Me dyer të mbyllura përballë gjyqtarit, Arqile Basho, citohet të ketë deklaruar se Niko Goron e vrau për shkak të një konflikti për çështje prone.

Kliti Leka ka thënë se e ekzekutoi ndërtuesin në kushtet e pamundësisë për të marrë apartamentet e pretenduara në një pallat që Goro kishte ngritur në një truall që 53-vjeçari i kishte dhënë.

Konfliktin e pronës, Kliti Leka, e dha edhe në dëshminë e parë, kur u arrestua vetëm një orë pasi vrau biznesmenin në Himarë.

Në atentatin ndaj ndërtuesit mbeti e plagosur jashtë rrezikut për jetën edhe motra e tij, Eftiqi Qesku.

Kliti Leka u vu në pranga nga policia në zonën e Livadhit, teksa po tentonte të largohej me një makinë, ku iu gjetën një automatik dhe një pistoletë.