Në vit pas bllokimit të Wuhanit për shkak të pandemisë, në qytetin vatër të pandemisë u çel një ekspozitë për të promovuar arritjet në luftën kundër Covid 19. Të shumtë ishin vizitorët, ndërsa Kina shfaqet si triumfatore në betejën me virusin vdekjeprurës që ju ka marrë jetën më shumë se 2 mln njërëzve në të gjithë botën.

Një ekspozitë me titull “Supremacia e njerëzve, epërsia e jetës” është çelur në Wuhan dhe tregon arritjet e Kinës në luftën kundër Covid 19.

Ekspozita vjen disa ditë pasi ekspertët e Organizataës Botërore të Shëndetit mbërritën në këtë qytet për të hetuar origjinën e virusit që kryqëzoi botën.

Skulptura të punëtorëve të shëndetësisë dhe mbi 1.000 fotografi e objekte të lidhura me epideminë janë shfaqur në ekspozitë, si një mënyrë për të prezantuar punën e suksesshme të kontrollit dhe parandalimit të epidemisë së Kinës, në gjysmën e parë të vitit 2020.

E shtuna shënoi një vit nga fillimi i bllokimit 76-ditor të Wuhanit, qyteti ku u zbulua për herë të pare koronavirusi para se të përfshinte të gjithë botën dhe të shkaktonte më shumë se dy milion viktima.

Kina ka raportuar rreth 5,000 viktima nga virusi, ndërsa vendi vazhdon vaksinimin dhe ka rindezur ekonominë e tij.

Kina këtë javë raportoi 2.3 përqind të rritjes së PBB-së në vitin 2020 – më e ngadalta në dekada por gjithsesi e vetmja ekonomi e madhe që postoi shifra pozitive gjatë pandemisë.