Ekspertët e policisë e shikojnë si veprim të gabuar dislokimin e forcave operacionale pranë ambienteve të Radio Televizionit Ora. Arben Hajdarmataj shprehet se ky veprim është urdhër dhe përdorim politik që i bëhet policisë, ndërsa e largon atë nga objekti i saj i punës që është parandalimi i krimit. 

Zbarkimi i repartit special të policisë së shtetit RENEA pranë Radio-televizionit Ora News për ekspertët e policisë është një veprim i gabuar i drejtuesve të organizatës blu dhe Ministrisë së Brendshme.

Sipas ish-drejtuesit të policisë, Arben Hajdarmataj, dislokimi i forcave speciale në ambientet televizive tregon një nivel të ulët dhe përdorim politik të policisë.

Sipas Hajdarmatajt reparti RENEA del me urdhër të veçantë nga Ministri dhe Drejtori i Policisë, vetëm në raste ekstreme kur cënohet siguria kombëtare apo kemi të bëjmë me elementë të armatosur.

Ekspertët e policisë gjithashtu shprehen se prej disa kohësh policia nuk po merret me objektin e punës së saj që ka të bëjë me parandalimin e veprimtarive kriminale.

Hajdarmataj: Ndihem shumë keq që policia e shtetit shqiptar ka rënë në këto nivele, nivele militanteske dhe mercenarësh që merr urdhra partiakë që nuk kanë asnjë bazë ligjore. Nëse flasim për RENEA-n si repart, është repart për neutralizimin e personave të armatosur.

Çka do të thotë që ky repart del në aktivitet kur ka të bëjë me një përballje me persona të armatosur, del me urdhrin e drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit që për mua si drejtues policie ka rënë dje në nivelin e një polici të sapombaruar arsimin, që jep urdhër të nxjerrë RENEA-n për tu paraqitur në oborrin e një institucioni.

Tjetër gjë është zoti Ndroqi dhe tjetër është televizioni. Veprimet ndaj një institucioni të tillë duhet të jenë shumë të matura.Nuk arrij ta kuptoj dhe as ta besoj që Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë marrin guximin dhe kurajon dhe nxjerrin një repart special për të zbarkuar në oborrin e një televizioni që nuk ka të bëjë fare me pronarin e tij.

Nëse ka një akt sekuestroje, tjetër është procedura dhe tjetër veprimi. Gjykata apo prokuroria autorizon oficerin e policisë gjyqësore për të ekzekutuar aktin e sekuestros.Nëse politika do të përdorë policinë kaq keq atëherë kalojmë në mercenarë. Nuk pyesin për rregulla dhe ligje.

Forcat speciale RENEA u pozicionuan të hënën pasdite në ambientet e RTV Ora, pas vendimit të SPAK për sekuestro, duke terrorizuar gazetarët dhe punëtorët.