Njëri prej të arrestuarve për vrasjen e Ritvan Ramazanit në Shkodër ka pretenduar se në vendin e ngjarjes ka pasur shkëmbim zjarri ndërsa viktima e ngjarjes ka qenë ai që ka shtënë i pari. Ora News ka zbardhur dëshminë e dhënë në polici nga Milkjor Gjoka, i cili është shprehur se 46-vjeçari kishte bllokuar rrugën në Dajç dhe ka shtënë me armë drejt personave që ishin në makinë të cilët më pas janë kundërpërgjigjur duke e vrarë.

Vrasja e Ritvan Ramazanit në Shkodër pak ditë më parë është bërë pas shkëmbimit të zjarrit mes viktimës dhe autorëve të ngjarjes.

Milkjor Gjoka, njëri nga personat e arrestuar si autor i ekzekutimit të Ritvan Ramazanit, në fshatin Mushan të Dajçit, ka treguar para oficerëve të policisë Shkodër, se Ramazani ishte personi i parë që kishte qëlluar me pistoletë në drejtim të makinës, ku udhëtonte Gjoka së bashku me dy vëllezërit Muhamedaj.

Në rëfimin e tij, të cilin Ora News e zbardh ekskluzivisht, Gjoka sqaron se Ritvan Ramazani u ka bllokuar kalimin me makinë dhe ka qëlluar një herë të vetme me pistoletë në drejtim të makinës së tyre.

“Në këtë kohë ka dalë Dueli nga makina me armë automatike në dorë dhe ka qëlluar me breshëri disa herë në drejtim të Ritvanit”-ka pohuar në polici i arrestuari Miljor Gjoka.

Ai ka shmangur përgjegjësinë në këtë ngjarje kriminale, duke pretenduar se nuk ka kryer asnjë veprim kriminal ndaj viktimës Ritvan Ramazani.

“Në 28 nëntor 2020 rreth orës 08:00, kam dalë nga shtëpia dhe tek karburanti i D.Maçit takova shokun tim Hydajet Mehmedaj, me të cilin e kisha lënë një ditë më parë për të shkuar në fshatin Mjedë. Hydajeti, ishte në makinën e tij ti “Benz-Mercedez”, dhe pasi unë hipa në vendin e parë të makinës u nisëm për në Mjedë. Në rrugën Velipojë-Dajç, tek vendi i quajtur “Tek Lulet”, pamë dy makina të cilat ishin fërkuar me njëra-tjetrën. Unë kam njohur Elhad Hysenin (Ramazani), pasi këtë person e kam pasur në shkollë.

Në këtë kohë Elhadi, ishte duke bërë debat me personin tjetër të makinës dhe po e shante rëndë. Elhadi, iku para nesh me makinën e tip tip “SLS” ngjyrë e bardhë me targa 666, kurse unë me Hydajetin, kemi ardhur për në shtëpi duke qëndruar pas makinës së Elhadit. Pasi kemi shkuar në banesë, me ne ka ardhur dhe vëllai tjetër i Hydajetit, Duel Muhamedaj, i cili është ulur në sediljen e pasme të makinës dhe në dorë mbante një automatik.

Ndërsa unë jam ulur në vendin e parë të pasagjerit. Kur kemi shkuar në fshatin Mushan të Dajçit, makina tip “BMVV X5” e Ridvanit ishte para nesh në një distancë të shkurtër. Ridvani, ka ndaluar makinën në mes të rrugës duke na zënë rrugën dhe nga mjeti tij, ai na qëlloi me psitoletë drejt makinës tonë, ku plumbi ka hyrë tek xhami i parë dhe është ngulur tek kollona midis dy dyerve mbas meje. Në këtë kohë doli Dueli nga makina me armë në dorë dhe qëllon disa herë nga Ritvani.”

Në vendgjarje policia sekuestroi 30 gëzhoja automatiku dhe një gëzhojë pistolete të tipit “TT”, që besohet se është qitur nga viktima Ramazani.

Momenti i vrasjes është parë qartësisht nga dy punonjës të karburantit aty pranë, por ata nuk kanë treguar se çfarë kishte ndodhur ndaj janë proceduar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.

Ndërsa një provë bindëse që jep dinamikën e krimit mësohet të jenë dhe pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e instaluara në ambjentet e karburantit.